Hakmarrje ndaj kampionëve, Skënderbeu del kryesues nga Kukësi

Futboll

Hakmarrje ndaj kampionëve, Skënderbeu del kryesues nga Kukësi

Më: 2 tetor 2017 Në ora: 16:16
Pamje nga ndeshja

Skënderbeu nga Korça si mysafirë e mposhti me rezultat 2:1 kampionin shqiptar, Kukësin. Osmani, Nimaga, Radas, Gavazaj dhe Taipi ishin mungesa të rëndësishme për kuqebardhët e Ilir Dajës, që riktheheshin për herë të parë në “Zeqir Ymeri” (vendin e krimit), pas asaj sfide të njollosur rëndë nga arbitri Enea Jorgji, 20 majin e kaluar, kur u vendos edhe fati i titullit kampion në sezonin e shkuar. Te Kukësi spikaste mungesa e qendërmbrojtësit Shameti, ndërkohë që kishte rikuperuar në kohë Bakaj. Kronika e lojës ishte ritmike, me raste në të dyja portat respektive, me luftë të fortë sportive, sidomos në mesfushë. Elis Bakaj godet portën korçare në minutën e 7-të, por pret në pozicion Shehi. Muzaka kundërpërgjigjet me një goditje tokazi, jo të saktë, dy minuta më pas. Sowe kërcënon seriozisht, për herë të parë, portën vendëse. Silur i fortë i sulmuesit me ngjyrë, por topi qeth shtyllën e majtë pingule të Koliqit. Në minuitën e 28-të, Rustem Hoxha, që ka zëvendësuar Shametin në qendër të mbrojtjes së kampionëve, e largon topin nga vija fatale, kur po i drejtohej rrjetës, me Koliqin e mposhtur nga Muzaka. Mbrojtësi durrsak eviton një gol të sigurtë dhe ruan bardhësinë e shifrave, raporton telesport.

Dhe vjen minuta e 31-të. Goli “nuhatej” në ajër, por del në dritë nga Bruno Dita, që shfrytëzon një konfuzion në prapavijën e verilindorëve dhe zhbllokon rezultatin. Dy minuta më pas është shtylla, ajo që i shpëton kuksianët nga pësimi i golit të dytë. Korçarët janë tejet të zhdërvjellët në aksionet e tyre, duke dalë rrjedhshëm e me pasime të sakta drejt zonës së kundërshtarit. Kukësi “fut ujë” në qendër të mbrojtjes, ndërsa mundohet të dalë befasisht nga krahët. Minuta e 36-të është e diskutueshme. Kryesori Kridens Meta akordon penallti, por korçarët kontestojnë fuqishëm. Jashanica pretendon për ndërhyrje të rregullt ndaj Aliyev. Nga pika e bardhë ekzekuton saktë Bakaj, duke barazuar shifrat 1-1. Braziliani Cale ndërmerr një inkursion mbresëlënës në minutën e fundit të pjesës së parë, përparon deri në zonën korçare, por aty godet dobët, e dërgon topin në duart e Shehit. Pjesa e parë mbyllet 1-1.

Pjesa e dytë nis me zëvendësim te Kukësi. Bakaj, jo në optimumin e vet fizik, ia lë vendin Hair Zeqirit, që i jep më shumë fantazi manovrës ofensive të vendësve. Të dyja skuadrat vihen në kërkim të golit të avantazhit, sepse kërkojnë 3 pikët. Rasti i parë serioz në këtë fraksion loje është goditja e Takut nga distanca, në minutën e 50-të, por pa problem për Koliqin. Të njëjtën gjë bën edhe Lilaj 10 minuta më vonë, pa shënjestrën e duhur. Në minutën e 62-të, Daja bën zëvendësimin e parë. Nxjerr nga loja Micin dhe aktivizon Radas, duke e “rikompozuar” prapavijën korçare. Pak më tej hidhet në fushë edhe Sahiti, ndërsa Jashanica shpërdoron një mundësi mjaft të mirë me kokë. Milinkovic përdor edhe kartën “Shtubina”. Shkodrani zëvendëson Aliyev. 20 minutat e fundit janë mjaft të tensionuara, me skuadrat që gabojnë në pasime, çka e lë topin më shumë të endet në mesfushë. Në minutën e 83-të, kryesori Kridens Meta akordon penalltinë e dytë në këtë ndeshje, këtë herë në favor të Skënderbeut, e fituar nga Muzaka. Lilaj nuk gabon nga pika e bardhë, duke “vulosur” tri pikët për të tijtë, sepse ka fare pak kohë tashmë në dispozicion të vendësit, që të reagojnë. Skënderbeu merr kryesimin me 10 pikë apo tri më shumë se Kukësi në Kampionatin Shqiptar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat