“Interi dhe Milani duan ta bëjnë stadium modern San Siron”

Futboll

“Interi dhe Milani duan ta bëjnë stadium modern San Siron”

Më: 2 tetor 2017 Në ora: 23:09
Tifozët Nerazzurr dhe ata Rossoner janë të lidhur emocionalisht me San Siron

Kryetari i Bashkisë së Milanos, Giuseppe Sala, ka thënë pas një takimi se Interi dhe Milan janë të gatshëm të investojnë në përmirësimin e stadiumit San Siro.

Stadio Giuseppe Meazza siç e njohin Nerazzurrët apo i quajtur ndryshe edhe si San Siro nga Rossonerët, është stadiumi mitik që ndahet nga dy klubet e mëdha të Serie A, Interit dhe Milanit.

Ky stadium i madh ka mbushur plot 91 vite që nga inaugurimi i tij dhe të dy skuadrat ndajnë shumë kujtime, emocione dhe tituj.

Tash e sa kohë të dy skuadrat mendojnë rreth ndërtimit të një stadiumi të ri, por kohë pas kohe mendojnë ta rinovojnë impiantin e stadiumit aktual pasi nuk mund të ndahen nga kujtimet.

Sipas kryetarit të Milanos, Sala, dy klubet e mëdha janë të hapura të investojnë në stadiumin e San Siros për ta kthyer atë në stadium modern.

“Do të hapim një komitet për të verifikuar të gjitha mundësitë e mundshme në dispozicion”, ka thënë fillimisht Sala pas një takimi me drejtuesit e Milanit dhe Interit.

“Objektivi është të identifikojmë brenda pak muajsh zgjidhjen ideale për nevojat e dy klubeve”.

“Ne ramë dakord që një stadium modern dhe i rinovuar është një element i vlerës për qytetin e Milanit dhe të dy klubeve të futbollit”.

“Të dy palët thanë se janë të gatshëm të investojnë”, përfundoi kryetari i Milanos.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat