Skënderbeu i një planeti tjetër

Futboll

Skënderbeu i një planeti tjetër

Më: 3 tetor 2017 Në ora: 11:37
Skënderbeu i një planeti tjetër

Triumfi ndaj kampionëve të Kukësit në shtëpinë e tyre tregoi që Skënderbeu është me marshin europian edhe në kampionat. Korcarët shkonin në kryendeshjen e javës me mungesa të shumta, por megjithatë treguan se mbeten ekipi lider në futbollin shqiptar. Radas, Osmani, Nimaga dhe Gavazaj ishin titullarët që i munguan në letër formacionit të Ilir Dajës, por në fushë kjo nuk u vu re. Aliti, Dita, Muzaka dhe Taku treguan që tek Skënderbeu mund ti besojnë edhe planit B, ose më saktë formacionit të dytë. Dhe të mendosh që në stol përveç titullarëve Radas dhe Osmani gjendeshin edhe Gripshi, Sahiti, Shkodra e Nespor që mund të luajnë cdo ndeshje nga fillimi.

Jo më kot skuadra është e ndërtuar e tillë, pasi drejtuesit kanë mësuar nga eksperienca e para dy viteve me pjesëmarjen në fazën e grupeve të Europa League dhe tashmë kanë ndërtuar një skuadër e aftë të garojë në të gjitha frontet me të njëjtin ritëm dhe dëshirë. Çdo lojtar i stolit të korcarëve mund të ishte titullar i padiskutueshëm në ekipet e tjera të superiores, dhe ky është një tregues që Skënderbeu mbetet ekip i një planeti tjetër në Superiore. Padiskutim që kjo është meritë e drejtuesve të cilët kanë vepruar me kujdes dhe zgjuarsi në merkato, për të afruar elementë të vlefshëm, qofshin këta me eksperiencë të madhe apo edhe të rinj premtues. Edhe një herë Skënderbeu mbetet jo vetëm skuadra për tu mundur por edhe modeli për tu ndjekur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat