Kombëtarja e Kosovës ka mbajtur seancën stërvitore para ndeshjes kundër Ukrainës, që zhvillohet të premten, në stadiumin “Loro Boriqi” në Shkodër, në orën 20:45. Kësaj radhe kombëtarja e ka zhvilluar stërvitjen në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, ku kushtet për punë ishin të shkëlqyeshme. Përzgjedhësi Albert Bunjaku me ndihmësit e tij punuan më shumë në lojën taktike, ku u fokusuan sidomos në lojën në krahë, pasi në këtë aspekt ukrainasit janë më të fortë.
Atmosfera në skuadër është shumë e mirë dhe të gjithë e presin me entuziazëm sfidën e së premtes për të përballuar me sukses këtë ndeshje, megjithëse janë të vetëdijshëm për kualitetin e kundërshtarit. Do theksuar se në stërvitjen me Leart Paqarada, Fidan Aliti, Bajram Jashanica dhe Besar Musolli stërvitën të diferencuar, ngase kishin ndeshje dhe stërvitja u shërbeu si regjenerim. Stërvitjen e Kombëtares nga afër e ka ndjekur edhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Xhelal Broja, si dhe dhjetra tifozë.