Sadiku: Do t’i krijojmë vështirësi Spanjës

Futboll

Sadiku: Do t’i krijojmë vështirësi Spanjës

Më: 4 tetor 2017 Në ora: 15:04
Lojtarët e Shqipërisë

Armando Sadiku dhe Andi Lila. Te të dy shihej qartë lumturia që do të ndeshen me dy nga skuadrat më të mira të botës, ku mund të shprehen dhe, pse jo, të bien në sy. Sulmuesi Sadiku nënvizoi në fjalën e tij: “U mërzitëm shumë pas ndeshjes derbi në Poloni, kundër Leh Poznan, që e kishim ndeshjen e fundit. Gazetarët dhe mediat e kanë ekzagjëruar pak. Kemi pas thjesht një takim me tifozët, nuk ka ndodhur asgjë më shumë. Për ne dhe tifozët ajo ndeshje është jetë a vdekje, ndaj u mërzitëm që nuk fituam. Spanja dhe Italia? Kanë lojtarë me klas tjetër, luajnë në ekipet më të mira në botë. Për këtë ne i respektojmë. Ndeshjen e parë me Spanjën e kam shikuar nga televizioni, nuk kam qenë. Mendoj se do të jetë e vështirë. Megjithatë, nëse e tregojmë veten si në Europian dhe në Izrael, apo ndaj ekipeve të mëdha, të luajmë si skuadër, mund të bëjmë mirë. Individualisht duhet të bëjmë secili diçka më shumë, por në grup. Uroj t’ia dalim edhe në këtë ndeshje. Çfarë synoj personalisht? Do të doja t’u shënoja të dyja ekipeve, Spanjës dhe Italisë, kjo gjë as që diskutohet.

Nëse ne do të luajmë si grup, si më përpara, do t’i krijojmë vështirësi Spanjës dhe mund të kapim rezultat pozitiv. Shpresoj të shënoj, do të ishte diçka super për mua dhe për ekipin. Po morëm ndonjë pikë do të ishte diçka perfekte. Gjithmonë, kur vij në ekipin kombëtar, mendoj se do të lë gjurmë në çdo ndeshje. Kur kam munguar për arsye dëmtimesh, qaj përbrenda vetes, sepse nuk jam në fushë. Synoj të bëj diçka si askush, sepse kam besim te vetja ime. Kur vij në ekipin kombëtar e jap më të mirën time, vë zemrën në fushë, dua të lë gjurmë për objektivat e mia personale. De Biasi? Nuk është se kam pasur ndonjë kontakt, thjesht kemi shkëmbyer disa mesazhe. I kam uruar suksese tek ekipi i ri. Para pak ditësh më ka shkruar mesazh që, nëse fitojmë me Spanjën, do të na bëjnë heronj në Itali. Vendi i tretë në grup? Në të gjitha ndeshjet kemi dhënë më të mirën tonë. Fati i keq na qëlloi të kishim në grup këto dy ekipe kaq të forta, si Spanja dhe Italia. Gjithsecili lojtar do të tregojë se e meriton vendin në kombëtare. Këto dy ndeshje mendoj se do të jenë si përgatitje për eliminatoret e tjera të Europianit. Spanja dhe Italia me mungesa? Si të mungojnë, si të mos mungojnë, ato kanë lojtarë me klas, që luajnë në ekipet më të mira në botë.

Nuk kemi presion, por e dimë se përballë kemi kundërshtarë shumë të fortë. Ne duhet të përqendrohemi në lojën tonë. Nuk duhet të shikojmë problematikat që ka Spanja, apo Italia. Ato kanë shumë lojtarë që mund të zëvendësojnë këdo dhe me të njëjtin kualitet. Panucci? Ishim mësuar me De Biasin, ai na njihte. Edhe kur merrte vendime, na njihte shumë mirë. Me trajnerin e ri shikohet edhe në stërvitje një impenjim tjetër, sepse të gjithë japin 100 për qindëshin. Panucci ka futur një frymë të re. Na duhet pak kohë të ambientohemi dhe të na njohë të gjithëve mirë. E rëndësishme është të japim maksimumin, pastaj vendos trajneri se kush luan. Ai do të bëjë eksperimente në funksion të kualifikueseve të tjera. T’i japim pak kohë trajnerit dhe shpresojmë që gjërat të shkojnë mirë. Personalisht ndihem mirë fizikisht, kam luajtur në katër ndeshjet e fundit me Legian. Jam gati që të jap kontributin tim në kombëtare. Pastaj, te Legia, kur të kthehem, do të jap si gjithmonë më të mirën time, që ta ndihmoj në këtë moment të vështirë që po kalon”, tha Sadiku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat