Surpriza në formacionin ndaj Spanjës, ja të rinjtë që Panuçi pritet të hedhë në fushë

Futboll

Surpriza në formacionin ndaj Spanjës, ja të rinjtë që Panuçi pritet të hedhë në fushë

Më: 5 tetor 2017 Në ora: 09:41
Panuçi do të luajë me të njëjtin modul sikurse paraardhësi i tij De Biazi me skemën 4-5-1.

Kombëtarja shqiptare ka marrë një goditje të madhe në prag të ndeshjeve të fundit kualifikuese të Kupës së Botës “Rusi 2018” ndaj Spanjës dhe Italisë. Sulmuesi Sokol Cikalleshi ka pësuar një dëmtim në seancën e djeshme stërvitore dhe, pas kryerjes së rezonancës në ditën e sotme, është mësuar se duhet të qëndrojë jashtë fushave për të paktën 3 javë.

Në këtë mënyrë, ai nuk do të jetë i gatshëm për trajnerin Kristian Panuçi dhe do të largohet nga grumbullimi i ekipit duke u nisur nesër drejt Turqisë pranë klubit të tij, ku do të kryejë dhe fazën e rehabilitimit. I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, sulmuesi ka sqaruar:

“Kam pësuar një dëmtim në pjesën e kofshës. Tani më duhet të qëndroj tri javë pushim. Nuk ishte e thënë që të isha i gatshëm dhe më vjen shumë keq, por ky është futbolli dhe duhet ta pranoj me qetësi këtë situatë jo të mirë”.

I kushtëzuar nga dëmtimet dhe pezullimet, Panuçi do të luajë me të njëjtin modul sikurse paraardhësi i tij De Biazi me skemën 4-5-1. I detyruar nga kushtet e mësipërme, numri një i pankinës shqiptare do të bëjë një rrotacion të vërtetë, duke hedhur në fushë lojtarë, të cilët nuk i kemi parë në ndeshjet e fundit.

FORMACIONI

Nga çka u kuptua nga seanca stërvitore e pasdites së djeshme, e cila ishte e fundit në tokën shqiptare, pritet që të shohim ndryshime rrënjësore në radhët e Kombëtares për ndeshjen me iberikët. Në portë do të aktivizohet Etrit Berisha. Mbrojtja do të përbëhet nga katërshja: Veseli e Ajeti në qendër, të ndihmuar nga e majta me Memollën dhe në të djathtë nga Hysaj.

Çudia ka qenë mungesa e kapitenit Agolli, i cili ndoshta nuk është në formën e tij më të mirë, por edhe Veseli. Mesfushë të ngjeshur pritet të shohim në këtë përballje, me plot pesë lojtarë që luajnë pranë njëri-tjetrit. Kaçe-Xhaka do aktivizohen në qendër. Majtas pritet të luajë Latifi, ndërsa në të majtë Lila.

Pak përpara dyshes Kaçe-Xhaka do të vendoset Memushaj. Ndërsa në sulm pritet të jetë Sadiku, por Panuçi për disa minuta ia besoi jelekun e titullarit edhe Valon Ahmedit, sulmuesi i Mariborit. Megjithatë, ende nuk dihet nëse këto lëvizje që po bën Panuçi janë për të mbajtur të gjithë skuadrën e karikuar apo për të surprizuar kundërshtarin.

PËRGATITJET

Ekipi kombëtar po punon me kapacitet të plotë për dy sfidat përmbyllëse, ku fillimisht do të përballet nesër me Spanjën dhe pas katër ditësh në “Loro Boriçi” me Italinë. Pesë seanca stërvitore ka zhvilluar skuadra jonë nën drejtimin e teknikut Panuçi dhe stafit teknik: një të hënën, dy të martën (paradite dhe pasdite) dhe po kështu të mërkurën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat