Policia ndalon edhe flakadanët në stadiume, ja masat e ashpra ndaj tifozëve

Futboll

Policia ndalon edhe flakadanët në stadiume, ja masat e ashpra ndaj tifozëve

Më: 5 tetor 2017 Në ora: 13:11
Policia e Shtetit nis aplikimin e gjobave

Policia e Shtetit do të ashpërsojë masat ndaj tifozëve, që shfaqin sjellje të palejuara në mjedise sportive, ku përfshihen edhe mbajtja dhe ndezja e flakadanëve, fishekzjarreve dhe lëndëve të tjera pirotekine, apo përdorimi i alkoolit. Ja njoftimi i uniformave blu me këtë rast: “Në zbatim të Ligjit “Për Sportet”, Policia e Shtetit  nis aplikimin e gjobave dhe përjashtimet nga stadiumet për tifozët që kryejnë shkelje. Pranë çdo komisaritati do të ngrihet një Komision për Shqyrtimin e Kundërvajtjeve Administrative, ku zhvillohen veprimtari sportive. Në krye të këtij komisioni emërohet shefi i komisariatit. Shkeljet e konstatuara gjatë një evenimenti sportiv, si mbajtja dhe përdorimi në objektet e mjediset sportive të flakadanëve, fishekzjarrëve, lëndëve piroteknike dhe sendeve të tjera të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve, përdorimi e tregtimi i pijeve alkoolike, si dhe cënimi i përfaqësuesve të federatave, arbitrave të ndeshjes, vëzhguesëve etj., dërgohen në Komisionin e Shqyrtimit të Kundërvajtjeve Administrative, i cili miraton masat.

Në rast shkeljesh sanksionet parashikojnë  gjobë nga 10-50 mijë lekë, ndalim të pjesëmarrjes deri në 1 vit në mjediset sportive, në rast diskriminimi për shkaqe të ndryshme, si dhe ndalim të hyrjes në mjediset sportive deri në 2 vjet, në rast se konstatohen sendet e palejuara në objektet dhe mjediset sportive. Për çdo ankesë, kundërvajtësi mund t’i drejtohet Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave, që drejtohet nga Nëndrejtori i policisë vendore. Pasi vendimi merr formë të prerë, masa administrative e gjobës bëhet titull ekzekutiv dhe duhet të paguhet nga kundërvajtësi menjëherë. Për të patur një evidencë të plotë për gjithë shkelësit në stadiume, Policia e Shtetit do të ndërtojë një regjistër elektronik me emrat e tyre. Kjo listë u dërgohet edhe FSHF-së dhe klubeve të futbollit, në rastet kur do t’u ndalohet hyrja në stadiume".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat