Statovci: Vështirë për Kosovën!

Futboll

Statovci: Vështirë për Kosovën!

Nga: Kemajl Goca Më: 6 tetor 2017 Në ora: 10:32
Faruk Statovci

Dy xhiro na ndajnë nga përfundimi i fazës grupore për kualifikimet në Kampionatin Botëror – ‘Rusia 2018’. Kombëtarja e Kosovës synon mos t’i përfundojë kualifikimet me vetëm një pikë në grupin I,  por ta befasojnë Ukrainën apo Islandën. Me Ukrainën ballafaqohen sonte në orën (20.45) në stadiumin “Loro Boriçi’ në Shkodër, kurse me 9 tetor zhvillojnë sfidën e fundit në Reikjavik (20.45) me Islandën.

Ukraina dhe Islanda janë të vendosura të mos lëshojnë pikë, për faktin se synojnë kualifikimin direkt ose vendin e dytë që iu siguron play-off-in. Kosova nuk ka çfarë të humbas, do të luajë e qetë dhe pa ngarkesë, kjo është njëra nga përparësitë më të mëdha ndaj ukrainasve që iu duhen pikët e plota sikurse buka. Ish reprezentuesi i Kosovës, Faruk Statovci, tha se pa dyshim është ndeshje shumë e vështirë për djelmoshat tanë. Kosova takohet me Ukrainën, si e sheh këtë ndeshje, sa janë gjasat e Kosovës për rezultat pozitiv? “Realisht në futboll gjasat ekzistojnë gjithmonë.

A është ndeshje e vështirë? Gjithsesi se po, sepse kemi përballë një përfaqësuese të kompletuar dhe me më shumë gjasa se sa Kosova”, thotë Statovci për gazetën kombëtare “Bota sot”.  Ish futbollisti i mirënjohur tha se rreziku më i madh vjen nga loja kolektive e ukrainasve. “Ata kanë ekip më kolektive, është përfaqësuese me përvojë dhe kanë vullnet më shumë”, tha Statovci. Ukraina është në pozitën e katërt me 14 pikë, ndërsa Kosova e fundit (i gjashti) me 1 pikë të mbledhur. Statovci tha se në bazë të cilësisë Kosova u dashtë të ketë më shumë pikë: “Në bazë të cilësisë Kosova është dashtë me pasur më shumë pikë, edhe pse po flitet gjithmonë përfaqësuese e re. Megjithatë kemi lojtarë edhe cilësi për mos me mbetur me një pikë. Kemi lojtarë që luajnë nëpër liga të forta dhe me shumë potencial. Shkurt është dashtë më shumë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat