Faleminderit kapiten

Futboll

Faleminderit kapiten

Nga: Julian Hoxhaj Më: 9 tetor 2017 Në ora: 11:29
Lorik Cana

453 ndeshje të luajtura, 36.290 minuta prezent në fushën  e lojës, 15 gola të shënuar, 12 gola dalë prej asistimeve të tij, 133 kartona të verdhë dhe 9 kartona të kuq. Janë këto shifra që e bëjnë Lorik Canën një legjendë të gjallë të futbollit shqiptar. “Kapiteni legjendar”, siç të gjithë vazhdojmë ta quajmë, i dha fund karrierës së tij në futbollin e luajtur duke zgjedhur ndeshjen Shqipëri-Itali, për të zhvilluar dhe ceremoninë e rastit për të “varur” këpucët në gozhdë. Telesport, në shenjë respekti dhe mirënjohje, sjellë për të gjithë tifozët shqiptarë një profil  ndryshe të Lorik Canës, duke veçuar momentet më të bukura të karrierës së tij si futbollistë. Cana lindi më 27 korrik të vitit 1983 në Prishtinë. Në moshë ende të vogël ai emigroi së bashku me familjen në Zvicër, aty ku nisi të luajë futboll me ekipet e moshave të Lozanës. Talenti i tij ishte i padiskutueshëm dhe tërheq vëmendjen e drejtuesve të skuadrës së famshme franceze Paris Saint- Germain.

Fillimisht Loriku aktivizohet me ekipin B të PSG-s, dhe më pas kalon me ekipin e parë. Tek ekipi i kryeqytetit franzes, Cana luan deri në vitin 2005, dhe më pas i bashkohet skuadrës së Marseille ekip ku për disa kohë do të mbante dhe shirin e kapitenit. Pas 4 sezonesh të suksesshëm te Marseille, Cana transferohet, në vitin 2009, në Angli, tek ekipi i Sunderland ku aktivizohet për një sezon. Pas Sunderland, Cana, luan për  ekipe si: Galatasaray në Turqi dhe Lazio në Itali, ndërsa zgjodhi ekipin e Nantes në Francë për të mbyllur karrierën  më 8 prill të këtij viti. Kjo ishte një përmbledhje e shkurtër e karrierës së Lorik Canës në disa prej klubeve europiane ku ai u aktivizua, ndërsa pjesa tejtër, ndoshta ajo më e rëndësishmja, është karriera me ekipin Kombëtar. Cana u bashkua me ekipin kuqezi në vitin 2003, kohë kur kombëtarja drejtohej nga trajneri Hans Peter Briegel. Cana zgjodhi me zemër, ai pranoi ftesën e Briegel duke refuzuar  Francën apo Zvicrën. Debutimin me Kombëtaren shqiptare, Loriku do ta kishte në një ndeshje kualifikuese për Europianin pikërisht përballë Zvicrës, vendit që u rrit si futbollistë. Shqipëria e humbi me rezultatin 3-2 atë ndeshje, por fitoi një mbrojtës që shumë shpejt do të shndërrohej në siguri për mbrojtjen e ekipit kombëtar. Pas vitit 2003, Loriku është pjesë e pandashme e kombëtares, dhe mungon vetëm në raste dëmtimi. 25 maj 2010, Lorik Cana vendos për herë të parë në krahun e tij shiritin e kapitenit kuqezi. Ishte ndeshja miqësore mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, e fituar 1-0 nga kuqezinjtë me gol të Hamdi Salihit, sfidë ku trajneri Josip Kuze i beson Lorik Canës shiritin e kapitenit. Një vit më vonë, në eleminatoret e Europianit, Lorik Cana do të merrte përfundimisht shiritin e kapitenit, të cilin e mbajti deri në ndeshjen e parë të fazës në grupe të Europianit të Francës, pikërisht në ndeshjen që Shqipëria luajti përballë Zvicrës, kundër ekipit që Cana debutoi me ekipin kuqezi në vitin 2003.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në fazën në grupe të Europianit për herë të parë në historinë e saj ishte padyshim dhe arritja më e madhe e karrierës së Lorik Canës me ekipin kombëtar. Ai fitoi zemrat e miliona shqiptarëve pasi u bë idhull i grupimit të tifozave “Kuq e Zi”. Lorik Cana numëron 88 ndeshje me ekipin kombëtar, 7.435 minuta në fushë me fanellën kuqezi, 3 asistime për gol 25 kartona të verdhë dhe 2 të kuq. Lorik Cana i dha shumë futbollit shqiptar, ai ishte ndër të parët talente me orgjinë shqiptare, që u zhvillua si futbollistë në emigrim, por që zgjodhi të përfaqësonte kombëtaren dhe flamurin e vendit të origjinës së tij. Cana do të mbahet mend gjatë nga miliona shqiptarë, për ndeshje që kanë dhuruar jo vetëm spektakël në lojë, por mbi të gjitha janë shoqëruar me ngarkesë emocionale të madhe. Një prej tyre është ndeshja Serbi-Shqipëri, e 14 tetorit 2014. Në mintuën e 42 të ndeshjes mbi kokat e tifozëve u shfaq një dron, që mbante varur një flamur me hartën e Shqipërisë etnike në mes, dhe në anë qëndronin Ismail Qemali e Isa Boletini. Kjo irritoi tifozët dhe lojtarët serbë, çka solli dhe ndalimin e ndeshjes. Cana me shokë u turrën për të mbrojtur atë flamur, që vlente më shumë se çdo gjë tjetër në atë ndeshje. Imazhet e grushtit të Canës drejtuar një prej lojtarëve të Serbisë bën xhiron e mediave botërore dhe padyshim krenuan miliona shqiptarë… Cana bashkoi shumë zemra kuqezi, madje shumë njerëz e cilësojnë atë si njeriun kryesor që shumë talente nga Kosova, të rritur në emigrim, zgjodhën të luajnë për fanellën e Shqipërisë. Tashmë Lorik Cana i dha fund karrierës me kombëtaren, por emocionet që dhuroi për tifozët shqiptarë, anë e mbanë botës,  janë të papërsëritshme, aq sa tashmë ai është kthyer në “legjendën” e gjallë të futbollit shqiptar. Faleminderit Lorik!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat