Në Itali ka 12 mijë futbollistë shqiptarë, “Corriere Dello Sport”: Mund të mbushin “Loro Boriçin”

Futboll

Në Itali ka 12 mijë futbollistë shqiptarë, “Corriere Dello Sport”: Mund të mbushin “Loro Boriçin”

Më: 9 tetor 2017 Në ora: 13:02
Pamje nga një ndeshje

Italia ka qenë toka e ëndrrave për shqiptarët, e cila u shndërrua e tillë edhe në aspektin sportiv. Shumë lojtarë dëshironin që karrierën e tyre ta ndërtonin në shtetin fqinj dhe e shihnin kampionatin italian si parajsën e futbollit. Lidhja që ka ekzistuar në të shkuarën vazhdon edhe në ditët e fundit. Statistikat tregojnë se shqiptarët kanë “pushtuar” Italinë edhe në aspektin e futbollit.

Nga të dhënat e një viti më parë rezulton se të huajt më të shumtë që janë federuar në federatën italiane janë shqiptarë. Gazeta “Corriere Dello Sport” shkruan se shqiptarët nuk janë të huaj në Itali sepse në të gjitha kategoritë e futbollit janë mbi 12 mijë lojtarë. Shifër që vë në punë mendjen e djallëzuar italiane, të cilët bëjnë edhe humor.

“Në Itali ka aq shumë futbollistë shqiptarë, në të gjitha kategoritë, sa mund të mbushej afërsisht i gjithë stadiumi ‘Loro Boriçi’, ku do të luajmë ditën e sotme”, shkruhet në gazetën italiane. Në total janë 56.512 lojtarë të huaj që luajnë në kampionatet e ndryshme italiane mes të cilëve 31.621 janë europianë dhe pjesën më të madhe e zënë shqiptarët. Janë 12.358 shqiptarë që përbëjnë shumicën, të ndjekur nga rumunët me 9.493 lojtarë dhe më pas nga marokenët me 7.761.

E njëjta situatë është edhe në sektorin e të rinjve dhe nga lojtarët që kanë marrë për herë të parë federimin. Vitin e kaluar ishin 11.523 të rinj, nga të cilët 20% shqiptarë (2.250). Me shpresën dhe besimin që një ditë do të arrijnë majat e futbollit italian dhe për më tepër të përfaqësojnë Kombëtaren shqiptare. Për më tepër, kuqezinjtë kanë një trajner italian për herë të tretë në histori (Dosena, De Biazi, Panuçi).

Aktualisht, lojtarët që janë pjesë e Kombëtares shqiptare dhe luajnë në Itali janë: Berisha (Atalanta), Hysaj (Napoli), Ajeti (Krotone), Gjimshiti (Benevento), Memushaj (Benevento), Basha (Bari), Ndoj (Breshia) por edhe Strakosha (Lacio) që këtë herë mungon dhe nuk është grumbulluar. E sigurt është që shqiptarët nuk janë të huaj në Itali, sepse shumë të rinj luajnë edhe me ekipe si Interi, Milani dhe Juventusi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat