Historia që shkroi Daliç, dinamovitët Allmuça-Sefa: Suksesi kroat, prej trajnerit

Futboll

Historia që shkroi Daliç, dinamovitët Allmuça-Sefa: Suksesi kroat, prej trajnerit

Më: 12 korrik 2018 Në ora: 22:08
Zlatko Daliç

Që Kroacia është për herë të parë në historinë e saj në një finale kampionati botëror, kjo është padyshim edhe për meritë të trajnerit Zlatko Daliç.

Me fat, në udhëheqjen e një prej brezave më të mirë të përfaqësueses kroate, nga një i panjohur për të gjithë botën, jo për shqiptarët, Daliç dalëngadalë po fiton respektin e kujtdo në futbollin e madh, falë rezultateve historike.

Ndoshta as vet nuk e mban mend mirë sesi ka përfunduar në Shqipëri, rreth 10 vite më parë, kur në Superiore ishte edhe Dinamo, që në ato vite drejtohej nga 40-vjeçari kroat Zlatko Daliç.

Igli Allmuca dhe Fatjon Sefa, dy nga lojtarët kyç të Dinamos të atyre viteve, tregojnë më tepër rreth trajneri aktual të Kroacisë, Zlatko Daliç.

“E kemi pasur trajner me Dinamon para 10 viteve, një trajner jashtëzakonisht shumë i mirë. Mbi të gjitha edhe njeri shumë i mirë, shumë profesionist. Daliç ka qenë një menaxhues shumë i mirë i skuadrës”, rrëfen Igli Allmuca, ish-lojtar i Dinamos.

“E mbaj mend edhe sot e 10 vite, kam qenë 24 vjeç dhe kur ka ardhur isha në hapat e parë me Dinamon. Këtë s’do ta harroj kurrë, për shkak të fitimit të trofeut të Superkupës, unë kam dalë fitimtar në atë ndeshje, pavarësisht se më është dashur të luaj vetëm pak minuta. E mbaj mend shumë mirë sepse më dha besim të plotë”, tregon Fatjon Sefa, ish-lojtar i Dinamos.

Po çfarë thonë ish-lojtarët e Dinamos për mënyrën e punës së Daliç?

“Suksesin që ka arritur Daliç, nëse trajner i Kroacisë do të ishte Mourinho, Guardiola apo Ancelotti, besoj se nuk do të flitej për kombëtaren kroate, por për sukses të këtyre trajnerëve. Mos harrojmë se, vërtet Kroacia ka lojtarë të mirë, por Daliç e mori në ‘play off’ dhe arriti ta çojë në finale të Botërorit. Kështu që është meritë e padiskutueshme e tij”, thotë më tej Igli Allmuça.

“Profesori kishte mentalitet fituesi dhe kërkonte çdo gjë. Edhe në stërvitje na nxiste me njëri-tjetrin që ekipi të dilte fitimtar, gjë që e tregoi edhe me Kroacinë. Atë shpirt iu ka futur edhe këtyre djemve. Me të vërtet që ka merita të padiskutueshme profesori”, tha në vijim Fatjon Sefa.

Sigurisht njohja me të tashmë ka bërë që çdo shqiptar, jo vetëm dinamovitët e tij, tifozë me Kroacinë.

“Jam tifoz me Kroacinë prej Daliçit, sepse unë vet jam me Brazilin. Por do të më bëhej shumë qejfi nëse ai do të fitonte Kupën e Botës”, përfundon Igli Allmuça.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat