Allegri: Higuain një lojtar i madh

Futboll

Allegri: Higuain një lojtar i madh

Më: 3 gusht 2018 Në ora: 16:38
Allegri: Higuain një lojtar i madh

Bonuçi, Kaldara dhe Higuain. Juventusi, në Atlanta, mundi me penallti yjet e futbollit amerikan, por mendimet e trajnerit Masimiliano Alegri janë te merkatoja dhe te mega-operacioni me Milanin, i cili është përmbyllur një ditë më parë në Itali. “Mendoj se ishte operacioni i duhur si për ne, ashtu edhe për skuadrën e Milanit”, tha tekniku bardhezi pas ndeshjes, duke u ndalur specifikisht te Leonardo Bonuçi, që rikthehet në Torino një vit pas largimit në “San Siro”.

“Bonuçi rikthehet te ne pas një viti. Është një futbollist i rëndësishëm me teknikë dhe personalitet dhe në gjashtë muaj nuk ka ndryshuar absolutisht”, shtoi Alegri, duke i vendosur edhe kapakun në këtë mënyrë të gjitha mosmarrëveshjeve të së shkuarës me qendërmbrojtësin. “Për sa i përket Matias, në fakt më vjen keq, sepse së bashku me Romanjolin dhe Ruganin bëjnë pjesë në treshen e mbrojtësve të rinj më të fortë që janë në Itali. Por kjo është merkatoja dhe na detyroi që ta linim të largohej. Te Milani do të ketë mundësi të përmirësohet dhe mendoj se kjo është e drejtë edhe për të”. Nuk mund të mungonin fjalët më të mira edhe për “El Pipita”, një tjetër kampion që shkoi në drejtim të kundërt: “Higuain? E falënderoj! Dha gjithçka këto dy vite që ishte me ne. Milani ka transferuar pa dyshim një sulmues të madh”.

Pastaj një koment për testin e fundit kundër “Mls All Star”: “Uroj të gjithë lojtarët që zbritën në fushë. Ishte një mundësi e mirë për të marrë pjesë në këtë ngjarje të madhe, në një stadium të shkëlqyer përpara 70 mijë personave”. Zbritja e radhës në fushë e “Zonjës së Vjetër” do të jetë më 5 gusht kundër kampionëve të Europës, Realit të Madridit. Por çfarë parashikon Alegri në miqësoren kundër ish-skuadrës së Kristiano Ronaldos? “Do të jetë shumë e vështirë për të dyja skuadrat. Shpresojmë që të mund t’i mbyllim përgatitjet e fazës përgatitore në mënyrën më të mirë të mundshme. Është e rëndësishme që askush të mos na vritet. Pastaj një fitore do të ishte prelud i mirë për nisjen e sezonit me këmbën e mbarë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat