Nikaj: Vushtrria, kockë e fortë për çdo kundërshtar

Futboll

Nikaj: Vushtrria, kockë e fortë për çdo kundërshtar

Nga: Kemajl Goca Më: 5 gusht 2018 Në ora: 19:21
Samuel Nikaj

Vushtrria synon rikthimin në elitën e futbollit të Kosovës. Kryetrajneri Samuel Nikaj përgatitë ekipin në çdo aspekt, që të jenë sa më të gatshëm për edicionin e ri në ligën e parë. Pa dyshim se liga e parë do të jetë shumë e fortë kur kihet parasysh se bëjnë pjesë edhe disa skuadra me renome, si Trepça nga Mitrovica, Vëllaznimi nga Gjakova, Besa e Pejës, krahas tyre janë edhe disa skuadra tjera që duken mjaft të përforcuara, si Vllaznia nga Pozherani, Dukagjini i Klinës etj. Mirëpo, Vushtrria llogaritet si kandidati kryesorë në bazë të fondit të lojtarëve dhe cilësisë që ka për dallim nga skuadrat tjera.  

Nikaj tha se janë mirë të përgatitur dhe sipas tij, deri me tash kanë zhvilluar disa ndeshje miqësore, që i kanë shërbyer për të parë formën e lojtarëve. 

“Bota sot”: Tash e një kohë Vushtrria është në përgatitje intensive, cila është atmosfera dhe kushtet për punë?

Samuel Nikaj: Hymë në javën e 6-të të përgatitjeve dhe gjatë kësaj kohe kemi zhvilluar disa miqësore në përgjithësi. Jam i kënaqur me kushtet, angazhimi ka qenë maksimal dhe besoj se kemi zhvilluar një punë të mirë që do të na shërbejë për vazhdimësinë.

“Bota sot”: Sa jeni i kënaqur me miqësore dhe me formën e lojtarëve dhe çfarë iu duhet më shumë?

Samuel Nikaj: Ndeshjet miqësore me kanë shërbyer për të krijuar një lidhje sa më të mirë të lojtarëve që ishin pjesë e skuadrës dhe lojtarëve të ardhur gjatë kësaj merkatoje, në përgjithësi jam i kënaqur me përformacën e shfaqur në këto ndeshje.

"Bota sot”: Si e sheh Vushtrrinë në edicionin e ri, me çfarë synime?

Samuel Nikaj: Synimi ynë është dalja në Superligë dhe do e kërkojmë nëpërmjet një futbolli të bukur dhe sulmues, nën moton: Respekt për çdo kundërshtar por frikë asnjë kundërshtari.

"Bota sot”: Cilat skuadra i sheh në luftë për dy vendet e para?

Samuel Nikaj: Lufta do të jetë e fortë nëpërmjet disa ekipeve me shumë traditë në futbollin e Kosovës, si Besa e Pejës, Vëllaznimi, Dukagjini e Trepça, si dhe nuk përjashtohet mundësia e ndonjë ekipi tjetër që mundë të surprizoj, megjithatë besoj që ne do të jemi kockë e fortë për çdo kundërshtar.

“Bota sot”: Në cilat reparte keni me shumë nevojë për përforcime dhe a mendoni se këto miqësore ishin edhe një barometër që ta shihni formën e secilit lojtar?

Samuel Nikaj: Besoj që kemi një fond të mjaftueshëm lojtarësh, do të ketë rivalitet për një vend në formacion por si gjithmonë do t’i besoj rotacionit nga ndeshja në ndeshje në raport me kundërshtarin dhe fushën në të cilën do të luajmë. Për sa i përket miqësoreve do të vazhdojmë të luajmë të paktën edhe 3 ose 4 ndeshje, që në fund të arrijë në konkluzionet e duhura për sa i përket formacionit startues në ndeshjen e parë zyrtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat