Skuadra kampione dhe fituese e Kupës së Maqedonsë, Shkëndija nga Tetova, sonte në orët e mbrëmjes udhëtojnë drejtë Salzburgut, ku të mërkurën do të zhvillojnë sfidën historike për kualifikim në ndeshjen e play-off-it të Champions League. Për kampionin e Maqedonisë kjo do të jetë ndeshja e 29-të në garat europiane, ndërsa e shtata në Champions League, ndaj ka obligim për një paraqitje sa më dinjitoze pasi është skuadra e vetme nga vendi që vazhdon garat europiane. Para nisjes për në Austri një ndër shtyllat e repartit të mbrojtjes në ekipin kuqezi, Visar Musliu, tha se ekipi si tërësi punon maksimalisht për një paraqitje dinjitoze kundër austriakëve.
“Ne përgatitemi për çdo ditë maksimalisht, duke i parë se ku i kanë dobësitë ekipi i Salzburgut . Besoj se do të jetë ndeshje mjaft e vështirë , por nuk do të thotë që ne do të dorëzohemi para kohe “ deklaroi Musliu. Sa i përket epilogut të ndeshjes kundër austriakëve të Salzburgut, qendërmbrojtësi i kuqezinjve tha se do të ishte i kënaqur edhe me barazim. “Shpresoj që gjithë ekipi të nxjerrim një rezultat pozitiv, me barazim besoj se do të ishim të kënaqur”, tha ai. Nga klubi i futbollit Shkëndija bëjnë të ditur se ekipi kuqezi në Salzburg nuk do të ketë përkrahje nga tifozët e vetë pasi për një gjë të tillë nuk ka asnjë lëvizje.
Në ndeshjen Salzburg – Shkëndija që do të zhvillohet pasnesër mbrëma (19.00) në “Red Bull Arena” që ka kapacitet prej afro 32 mijë ulëseve, drejtësinë do të ndajnë treshi i referëve nga Azerbajxhani me në krye Aliyar Aghayev.