Josa flet me “thumba”

Futboll

Josa flet me “thumba”

Më: 6 gusht 2018 Në ora: 16:17
Josa flet me “thumba”

Mbetet një xhentëlmen Mire Josa. Por, jo vetëm. I prerë si gjithmonë, trajneri i Prishtinës dhe ish-i i bardhebluve dje iu kthye çështjes së rënies nga Kategoria. Me një deklaratë, indirekt Josa “thumboi” presidencën e Tiranës, që sipas tij duhet të bëjë më shumë se të ngjisë skuadrën në Superiore. Josa bëri “mea culpa”, për atë që ndodhi dy sezone më parë.


Si ishte të ktheheshit në këtë stadium, pas më shumë se një viti nga ajo që ndodhi?

Ishte një ndjesi shumë e keqe. Shkela për herë të parë, që pas stërvitjes së fundit që bëmë para ndeshjes me Skënderbeun, të cilën e fituam në Elbasan. Kjo nuk ka më rëndësi. Ndeshja u bë shumë e bukur, e cila u shërbeu skuadrave për të parë gjendjen që kanë. Kjo e sotmja nuk ishte as gjendja e Tiranës dhe e Prishtinës. Në fakt, nuk mund të flasësh për lojë, kur ka shumë ndërrime. Në përgjithësi jam i kënaqur nga loja që treguam në pjesën e parë. Jemi rrezikuar vetëm kur kishim ne topin në këmbë. Tirana na vodhi në disa momente topin dhe kjo ndodhi nga besimi i tepruar që ne patëm. Kjo nuk do të thotë se fituam kundër Tiranës dhe jemi kampionë. Kampionati në Kosovë është shumë i vështirë, e me kundërshtarë të fortë. Duhet ta pranoj se jemi përpara me përgatitjet, sepse kemi filluar grumbullimin më 11 qershor. Gjithsesi, deri më datë 18 gusht do të shohim se çfarë lojtarë të tjerë do të afrojmë në ekip.

–Më në fund do të luani në Prishtinë, pikërisht në Superkupë?

Nuk e kam vënë asnjëherë në dyshim faktin e tifozëve. Tifozët duhet t’i bëjmë ne të na ndjekin. Vjet kemi qenë rrugëve. Tani kemi shtëpinë tonë, do ta shfrytëzojmë në maksimum. Do të luajnë në fushën tonë me Dritën, e cila është një skuadër e mirë, por do të bëjmë të pamundurën për të fituar.

–Nëse Prishtina do të ishte në Superiore do të dilte kampione?

Nuk ka në qoftë se, apo nëse. Ne jemi në futbollin kosovar dhe respektojmë këtë futboll dhe njerëzit që ngrenë këtë sport në Kosovë dhe nuk mund të bëjmë krahasime. Duhet t’i bëjmë “hyzmetin” punës sonë dhe futbollit kosovar.

-A jua jep ndjesinë e skuadrës kampione kjo Tiranë?

Nuk mund të bëj asnjë koment për Tiranën. Për të flasin drejtuesit që e kanë organizuar këtë skuadër dhe trajneri i tyre. Tiranës i uroj suksese. Është kënaqësi të luaj kundër kësaj skuadre, kundër këtyre ngjyrave. Është hera e parë që flas që pas rënies nga kategoria, e cila ishte dita më e zezë e karrierës sime si trajner te Tirana. Është një histori që nuk kthehet mbrapsht. Të gjithë njerëzit duhet të marrin përgjegjësitë e tyre. Përgjegjësitë nuk merren me një ngjitje nga Kategoria e Parë në Superiore. Unë përgjegjësitë e mia i mbaj aq sa më takojnë. Është një njollë, që zor e heq nga memoria ime.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat