Flamurtari del kundër të huajve

Futboll

Flamurtari del kundër të huajve

Më: 8 gusht 2018 Në ora: 13:36
Flamurtari del kundër të huajve

Më 15 gusht është vendosur që të zhvillohet mbledhja e radhës e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. Ndër të tjera, në këtë mbledhje do të diskutohet edhe propozimi i shtatë klubeve të Superiores që në kampionatin e ardhshëm të rritet numri i të huajve në fushë nga katër në pesë. Tirana, Partizani, Kamza, Luftëtari, Kastrioti, Skënderbeu dhe Teuta janë klubet që kanë propozuar këtë ndryshim.

Duket se Flamurtari nuk i përgjigjet thirrjes së shtatë klubeve që kërkojnë rritjen e numrit të lojtarëve të huaj. Administratori Sinan Idrizi ka refuzuar të firmosë për shkak se dy vite më parë shtatë klubet që kërkojnë aktualisht rritjen e numrit të lojtarëve të huaj, nuk e mbështetën. “Shtatë klube kanë firmosur një letër ku kërkojnë rritjen e numrit të lojtarëve të huaj në fushë. Por, ne si Flamurtar nuk e firmosëm këtë letër dhe nismë të këtyre shtatë klubeve. Çuditërisht, kur ne kërkonim para dy vitesh rritjen e numrit të lojtarëve të huaj, këto shtatë klube nuk na mbështetën.

Nuk bëhet sipas oreksit kjo punë. Kur ne donim të firmosnin, asnjë prej tyre nuk na u bashkua. Kjo është çudi e madhe, nuk e kuptoj fare. Tani nuk kam pse të firmos unë. U kam thënë, hajdeni të kërkojmë shtimin e numrit të lojtarëve të huaj, ata nuk pranuan. Tani të bëjnë çfarë të duan, ne nuk kemi firmosur. Besoj se këto shtatë klube e kanë kuptuar së fundmi që duhet të shtohet numri i të huajve dhe erdhën tek ajo që ne kemi kërkuar shpesh. Personalisht, kam takuar atëherë pjesën më të madhe të presidentëve të këtyre klubeve, që sot kërkojnë shtimin e lojtarëve të huaj, por nuk më mbështetën”, tha Idrizi.

"Flamurtari është për liberalizimin e tregut. Ne jemi në kapitalizëm dhe nuk mund ta kuptosh fare këtë gjë. Pse duhet që të ketë kufizim të numrit të lojtarëve? Duke shtuar numrin e tyre, ne rrisnim cilësinë dhe shtojmë konkurrencën. Pse kanë pasur frikë këta të gjithë nga rritja e numrit të lojtarëve të huaj? Nuk ka pse të diskutojmë pesë apo gjashtë lojtarë, kjo nuk ka sens, lëre të lirë. Ne i kemi kërkuar edhe më përpara “Komitetit të Partisë”, që të shtojnë numrin e lojtarëve. Në Shqipëri nuk ka lojtarë, ndaj ne ku do t’i gjejmë. Prandaj, edhe unë e kam thënë që duhet të shtohet numri i lojtarëve të huaj patjetër. Të bëjnë çfarë të duan, as nuk më intereson fare nëse do ta shtojnë apo jo, kur unë doja, këta nuk më mbështetën dhe e zgjidha vetë këtë çështje”, u shpreh administratori.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat