Jam dëshmitar i datës 31 tetor të vitit 1993

Futboll

Jam dëshmitar i datës 31 tetor të vitit 1993

Nga: Avdi Krasniqi Më: 8 gusht 2018 Në ora: 16:17
Avdi Krasniqi

Debate

Jam dëshmitar i datës 31 tetor të vitit 1993 në ndeshjen Birliku – Skenderaj! Atë ditë unë edhe Ramadan Dautaj, i ndjeri, patëm shkuar ta shikojmë atë ndeshje, me të vërtet kishte shumë shikues, derisa mendohej se do të kalohej mirë ajo ndeshje, nëpër rrugë vëreheshin lëvizje e shtuara të milicisë serbe. Për një moment derisa luhej ndeshja, Ramadani me tha: “Kryetar është mirë të largohemi sepse siç duket milicia serbe, pas gjithë këtyre lëvizjeve ka me ndërpre ndeshjen!”

Nuk ka shkuar as 5 minuta edhe shumë prej nesh as që i kemi pa autoblindat derisa janë hy në terren sepse ishim të koncentruar në lojë. Aty u bë rrëmujë e madhe, shikuesit filluan të largohen më të madhe, aty në mes të terrenit në tollovi e kanë zënë referin e ndeshjes Ilijaz Spahiun, atë kanë filluar ta maltretojnë brutalisht saqë e kanë detyruar me i shkulë edhe portat në fushë, me në fund edhe e kanë arrestuar e dërguar në stacion policorë. Me t’u kthyer nga ndeshja, mësuam se në atë ndeshje ishte arrestuar dhe maltretuar edhe lojtari i Skenderajt, Dobra.

Koha në të cilën u zhvillua futbolli i Kosovës ishte kohë e pa kohë, kohë në të cilën futbolli zhvillohej nën tytat e policisë serbe dhe dhunës serbe. Vërtet siç thotë zotëri Spahiu, se kur shkonim në lojë referët dhe organizatorët e ndeshjeve, së pari u përshëndetshin  me familje sepse jetës nuk i dihej e më e keqja ishte se lojtarët ishin të rinj, ne frikoheshim më shumë për ta mos po i arrestojnë ata dhe i dërgojnë me dhunë në ushtrinë serbe. Represioni serb nuk ishte vetëm për një vit por filloj nga viti 1991 e deri në vitin 1998 kur edhe përfundoi aktiviteti sportiv me fillimin e luftës së UÇK-së.

Sot për gjeneratën e tanishme ato ditë ishin si përralla, e them këtë sepse nuk i është dhënë përkrahje institucionale kohës së pavarësimit të futbollit, kohës ku i ka rrënjët futbolli, më mirë të themi kohën kur luhej shqip futbolli. I falënderoj të gjithë gjyqtarët, më së shumti ata që u maltretuan e nuk u ndalen së vepruari. Po mos të ishin gjyqtarët guximtarë, nuk ishte luajtur loja e futbollit në një gjendje lufte. Unë kam shpresuar se ligji mbi sportin kur do që aprovohet duhet me ia njohur statusin të gjithëve që ishin të maltretuar, si Ilijaz Spahiu e shumë të tjerëve.
Respekt për të gjithë ata që ndihmuan futbollin e Kosovës, të jetë funksionale edhe në kohën e gjendjes se jashtëzakonshme policore.

Autori është ish kryetar i KF Feronikelit nga Drenasi, në kohëra më të vështira, të okupimit, në vitit e 90-ta dhe kryetar nderi i klubit

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat