IPKO, sponsor i përgjitshëm i FFK-së

Futboll

IPKO, sponsor i përgjitshëm i FFK-së

Më: 9 gusht 2018 Në ora: 15:38
IPKO, sponsor i përgjitshëm i FFK-së

Federata e Futbollit e Kosovës ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me kompaninë IPKO, e cila do të jetë sponsor gjeneral i kësaj federate.
Kontratën e partneritetit e kanë nënshkruar presidenti i FFK-së, Agim Ademi, dhe drejtori ekzekutiv i IPKO-s, Robert Erzin. Në bazë të marrëveshjes, IPKO do të jetë sponsor gjeneral i Kombëtares së Kosovës si dhe i Superligës, e cila tash e tutje do të quhet IPKO Superliga e Kosovës në futboll.

Drejtori ekzekutiv i IPKO-s, Robert Erzin, u shpreh i lumtur që në dy vitet e ardhshme korporata që ai e drejton do të jetë partner i FFK-së, si sponsor gjeneral i Kombëtares së Kosovës dhe sponsor i Superligës.
“Sot jemi shumë të lumtur që po e japim njoftimin për sponsorizimin e përgjithshëm të Federatës së Futbollit të Kosovës, një sponsorizim ky i cili përputhet mjaft shumë me biznesin me të cilin jemi. Siç e dini IPKO është operatori telefonik më stabil në Kosovë, i cili deri më tani ka investuar 320 milionë euro në infrastrukturë mobile dhe fikse. IPKO është investitori më i madh i huaj në Kosovë dhe njëkohësisht është shembull i suksesit, i cili mund të përdoret nga Qeveria e Kosovës në tërheqjen e investimeve të reja. Ne jemi udhëheqës në zhvillimin e vendit, sidomos në fushën e telekomunikimit, pra në shërbime fikse dhe mobile. Por ne, krahas investimeve që i kemi bërë, jemi përgjegjës në shoqërinë ku jetojmë dhe në këtë mënyrë kontribuojmë duke ndihmuar sportin, kulturën dhe në veçanti të rinjtë dhe fëmijët”.

Erzin ka shprehur shpresën se Kombëtarja e Kosovës do të korrë suksese në Ligën e Kombeve, për ndeshjet e të cilës garë Ipko e ka ekskluzivitetin  për transmetim përmes Digitalbit. “Ky partneritet për neve do të jetë shumë joshës, duke marrë për bazë që Kosova ka një ekip të ri dhe të mirë dhe ne shpresojmë në suksese”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat