E bujshme, Kukësi afron ish-mbrojtësin e Shkëndijës

Futboll

E bujshme, Kukësi afron ish-mbrojtësin e Shkëndijës

Më: 11 gusht 2018 Në ora: 09:33
Ardian Cuculi

Kukësi godet në merkato dhe realizon një tjetër afrim të bujshëm. Nënkampionët e Shqipërisë siguruan shërbimet e mbrojtësit Ardian Cuculi. Mbrojtësi 31-vjeçar u bind nga projekti dhe ambiciet e skuadrës në arenën ndërkombëtare, por edhe në kampionat, duke zgjedhur të rikthehet në Shqipëri.

Pas negociatave të gjata me drejtorin sportiv, Nderim Nexhipi, me të cilin ka qenë edhe shok skuadre te Shkëndija, Cuculi u bind t’i bashkohet veri-lindorëve. Ai firmosi kontratën 1-vjeçare dhe tashmë klubi ka nisur garën me kohën.

Synimi është që lojtari me eksperiencë të jetë i gatshëm për ndeshjen e kthimit në turin e tretë kualifikues të Europa League përballë Torpedo Kutaisit. Koha shtrëngon, por te Kukësi kanë besim se Cuculi do të jetë në fushë për sfidën e kthimit.

Në këtë rast, mbrojtësi do të shërbente si një garanci më tepër për repartin difensiv, që çaloi në ndeshjen e luajtur në Gjeorgji, e cila përfundoi me humbje 5-2, duke kompromentuar ambiciet për t’u kualifikuar në fazën “play off”, por tronditi edhe pozitat e trajnerit Cungu, vetëm pak javë pas emërimit në krye të stolit.

Ardian Cuculi rikthehet në Shqipëri pas tre viteve, ndërsa më parë në Kategorinë Superiore ai ka luajtur me Partizanin, ku ishte një prej idhujve të tifozëve të kuq. Në tre sezonet e fundit, mbrojtësi ka qenë një prej shtyllave kryesore të Shkëndijës së Tetovës, në rritjen cilësore të viteve të fundit që kanë patur kuqezinjtë.

Pas edicionit të kaluar, ku fitoi titullin kampion dhe Kupën e Maqedonisë dhe me përfundimin e kontratës, Cuculi vendosi të kërkonte një aventurë të re.

Destinacioni është konfirmimi edhe në Shqipëri, ku në javët e fundit ka qenë në listën e dëshirave të Flamurtarit, por Kukësi fitoi sprintin final dhe tashmë është shndërruar në ekipin favorit për titullin, raporton SuperSport.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat