Top-formacioni më i shtrenjtë në histori, që vlen më shumë se 1 miliard euro

Futboll

Top-formacioni më i shtrenjtë në histori, që vlen më shumë se 1 miliard euro

Më: 11 gusht 2018 Në ora: 16:03
Top-formacioni

Merkatoja e transferimeve në futboll sa vjen dhe arrin “pikën e vlimit” vit pas viti. Rekordi thyen rekordin. Shumë klube kanë paguar tashmë shifra astronomike për të bërë skuadrat e tyre ideale. Kepa ishte lojtari i fundit që u largua për në Premier League, pasi Chelsea pagoi për të 80 milionë euro te Athletic. Spanjolli u bë portieri më i shtrenjtë në histori. Po cili do të ishte formacioni më i shtrenjtë në historinë e futbollit? Më poshtë njihuni me të, i hartuar në bazë të parave të shpenzuara për secilin lojtar gjatë transferimit përkatës, herën e fundit, sipas rolit përkatës në fushë, me modulin 4-3-3. Një formacion që vlen 1.156 milionë euro.

Portier
Kepa (Chelsea) vlen 80 milionë euro. Kaq pagoi ekipi blu për klauzolën e lirimit të portierit spanjoll. Ai është tashmë nën urdhërat e trajnerit Sarri dhe do të mbrojë portën e Chelsea për shtatë sezonet e ardhshme.

Mbrojtja:
Kjo është një linjë mbrojtëse e Manchester City, i cili në vitet e fundit i ka shkundur mirë xhepat për të përforcuar prapavijën, e cila i dha shumë probleme Pep Guardiolës, në sezonin e tij të parë në “Etihad”. Kështu, “qytetarët” përfaqësohen me Kyle Walker (55 milionë), Laporte (65 milionë) dhe Mendy (57 milionë) në këtë 11-she (formacion) më të shtrenjtë në histori. Ky repart me katër lojtarë plotësohet nga holandezi Van Dijk (85 milionë), me të cilin Liverpool nënshkroi merkaton e dimrit të kaluar.

Mesfusha
Nënshkrimi i James Rodriguez për Real Madrid u bë një nga më të kushtueshmit në verën e vitit 2014. Klubi i bardhë pagoi 80 milionë euro për të. Coutinho dhe Barça (160 milionë), Pogba dhe Manchester United (120 milionë), janë klubet e tjera, që bëhen protagoniste në këtë formacion të veçantë.

Sulmuesit:
Sulmi më i shtrenjtë përbëhet nga Mbappé, Cristiano Ronaldo dhe Neymar. PSG e mori 19-vjeçarin francez nga Monaco për 120 milionë euro. Cristiano Ronaldo, duke shkuar te Juventusi për 112 milionë euro, kësaj vere, është një tjetër nga sulmuesit (pjesë e kësaj 11-sheje) më të shtrenjtë në histori. Ky repart mbyllet nga braziliani Neymar, për të cilin PSG ka paguar 222 milionë euro për ta marrë nga Barcelona, verën e vitit 2017.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat