Trajneri i Torpedos: Kukësi ankohet kot, edhe dy lojtarë tanët nuk morën viza

Futboll

Trajneri i Torpedos: Kukësi ankohet kot, edhe dy lojtarë tanët nuk morën viza

Më: 15 gusht 2018 Në ora: 20:55
Torpedo Kutaisit

Kukësi u ankua për mënyrën se si gjeorgjianët e Torpedo Kutaisit i pritën gjatë takimit të javës së kaluar, ndërsa vunë theksin edhe te mospajisja me vizë e dy futbollistëve të rëndësishëm për formacionin.

Akuza e verilindorëve shkoi deri aty sa theksuan se ishin pikërisht këto probleme, që ndikuan së tepërmi në humbjen e thellë 5-2, gjatë ndeshjes së luajtur në Tbilisi.

Gjithsesi në konferencën e sotme për shtyp, trajneri i skuadrës gjeorgjiane Kakhaber Chkhetiani hodhi poshtë akuzat e kuksianëve dhe shtoi se edhe dy futbollistë të ekipit të tij, nuk janë pajisur me vizë për në Shqipëri.

“Ne nuk jemi përgjegjës për ambasadën, jemi klub. Ne kemi informuar ambasadën dhe kërkuam ta zgjidhim problemin, ndërhymë për ta rregulluar, madje po ju them se edhe ne kemi probleme me 2 lojtarë, që nuk kanë marrë vizën shqiptare. Arfang Dafe, që është nga Senegali, dhe Gleofilo Hasselbank, nga Surinami, kanë aplikuar që më datë 2 gusht, por nuk janë pajisur me vizë. Ne nuk akuzojmë as klubin e Kukësit dhe askënd, janë thjesht procedura”, tha trajneri gjeorgjian.

Torpedo Kutaisi zbret në “Elbasan Arena” me avantazhin 5-2 të ndeshjes së parë, rezultat që ka qenë i papritur për vetë trajnerin e gjeorgjianëve. Gjithsesi, Chkhetiani, nuk sheh vend për nënvlerësim nga futbollistët e tij.

“Të jem i sinqertë nuk e prita një rezultat të tillë, duke parë përvojën e Kukësit në këto kompeticione. Nuk jemi aspak të relaksuar për ndeshjen e kthimit, asgjë nuk ka mbaruar. Kemi parë që në futboll janë përmbysur rezultate dhe kjo na bën që të jemi të përqendruar në maksimum dhe të bëjmë më të mirën tonë”, tha trajneri i Torpedos.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat