Onbashi: Duhet të presim 6 muaj për një derbi

Futboll

Onbashi: Duhet të presim 6 muaj për një derbi

Nga: Kemajl Goca Më: 17 gusht 2018 Në ora: 18:47
Seid Onbashi

Kampionia e Kosovës, Mitrovica, nuk e regjistroi asnjë pikë në kuotën e saj, në ndeshjet kualifikuese të grupit 4 të Champions League. Futbollistet e Mitrovicës debutuan në garën më prestigjioze siç është Champions League, por u kthyen me të gjitha humbjet. Kryetrajneri i kësaj skuadre, Seid Onbashi, shprehet se iu ka munguar edhe përvoja dhe kjo ka ndikuar që mos të arrijnë rezultate më pozitive.

Vashat mitrovicase nuk ia dolën në asnjë përballje, të parën e humbën me 6:1 nga MTK e Budapestit nga Hungaria, pastaj u mposhtën me 4:0 nga Sllavia e Pragës nga Çekia dhe së fundi me 6:1 nga Belediyesi e Turqisë. Megjithatë, Onbashi vlerëson se ka qenë përvojë e mirë dhe që i shërben shumë për të ardhmen, se çfarë duhet bërë.  Ai fajin për mossukses ia lë edhe ligës së dobët në Kosovë sepse sipas tij, duhet të presin 6 muaj për një derbi.

 “Bota sot”:  Mitrovica debutoi në garat e Champions League, por nga tri ndeshje pësoi po aq humbje, i ka munguar përvoja?

Sed Onbashi: Po, e vërtet, debutuam në garën më të fortë dhe është e vërtet në tri ndeshje pësuam aq humbje, por ishte mungesa e përvojës dhe vetëbesimit te disa lojtare të reja. Por prapëseprapë ëndrra jonë është bërë realitet.

“Bota sot”: Tri ndeshje të vështira dhe tri humbje të thella, por a ishte një përvojë e mirë dhe çfarë i duhet më shumë Mitrovicës?

Seid Onbashi: Tri ndeshje shumë të vështira me kundërshtar shumë të fortë, të cilat në radhët e veta kishin lojtare nga Amerika, Kanada, nga Afrika megjithatë ishte përvojë e mirë për të gjithë neve, të mësojmë nga pak. Mitrovicës i duhen 2-3 lojtare të mira nga Evropa ose me larg.

“Bota sot”:  Si e sheh Mitrovicën në edicionin e ri në ligën e Kosovës?

Seid Onbashi: Mitrovicën e shoh shumë të fortë në Superligën e Kosovës, kemi bërë disa afrime dhe besoj që nuk do të kemi konkurrent.

“Bota sot”:  A mendoni se edhe mungesa e konkurrencës në ligë po ndikon në cilësinë e KFF Mitrovica, që pati edhe paraqitje të zbehta në rrafshin ndërkombëtar?

Seid Onbashi: E vërtet është kjo, ndoshta ishte njëra ndër arsyet kryesore sepse kemi të bëjmë me një ligë jo me cilësi të lartë. Kemi vetëm një konkurrent, ajo është Hajvalia dhe duhet të presim nga 6 muaj për të luajtur derbi.

“Bota sot”:  Sa është vështirë të udhëheqësh një ekip të femrave, a ka kushte dhe a ndihmohet nga donatorët klubi?

Seid Onbashi: Nuk është edhe e lehtë, jam që 8 vite në futbollin e femrave por prapë kam fjalë të mira për vajzat që merren me futboll sepse me të vërtet e dojnë shumë futbollin. Klubi ynë ka kushte shumë të mira, paguhen me paga goxha të mira dhe besoj që edhe në Superligën e djemve nuk i kanë disa klube këto paga. Gjitha këto i bën kryetari klubit Hajrulla Haxhiu dhe drejtori Adnan Ademi, të cilët ofrojnë kushte shumë të mira për të gjithë neve.

“Bota sot”: A jeni i kënaqur me fondin e lojtareve, a po shikoni mundësinë të sillni lojtare më cilësore nga jashtë?

Seid Onbashi: Jam i kënaqur shumë me fondin e futbollisteve dhe besoj që në të ardhmen do të sjellim edhe lojtare nga jashtë dhe jam i kënaqur që janë lojtare shumë të mira, me një edukatë shumë të lartë.  Ndihem krenar që jam trajner i tyre, unë dhe gjithë shtabi teknik. Synimi ynë është të punojmë dhe të arrijmë suksese të reja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat