Mourinho zbulon të vërtetën e tij me Pogban

Futboll

Mourinho zbulon të vërtetën e tij me Pogban

Më: 18 gusht 2018 Në ora: 10:09
Jose Mourinho/Pogba

Jose Mourinho ka reaguar pas spekulimeve në lidhje me raportin e tij me mesfushorin e Manchester United, Paul Pogba.

Prej kohësh përflitet për një konflikt të ndezur mes Jose Mourinhos dhe mesfushorit francez Paul Pogba, por ka qenë vetë trajneri portugez, ai që ka preferuar “t’i hedhë ujë zjarrit”, në një intervistë të dhënë për mediat angleze.

Mourinho tregoi se kishte mbetur shumë i kënaqur nga performanca e kampionit të botës, në sfidën e parë ndaj Leicesterit dhe se do të vijonte t’i besonte shiritin e kapitenit.

“E vërteta është se nuk kam qenë kurrë më i kënaqur se kaq me Pogba. Kishte ardhur vetëm të hënën dhe pas tre seancash stërvitore, i kërkuam të bënte një sakrificë. Ai luajti më shumë sesa i kërkuam ne dhe bëri ekzaktësisht atë që unë doja, në fushën e lojës. Pogba do të vijojë të jetë titullar dhe të mbajë shiritin e kapitenit, deri në momentin që do të kthehet Antonio Valencia”, deklaroi Mourinho.

Vetë Pogba, pas ndeshjes tha se nuk kishte dëshirë të komentonte marrëdhënien e tij me teknikun portugez dhe se gjithçka në fushë e kishte bërë për skaudrën dhe tifozët, por edhe në këtë rast Mourinho e kishte një përgjigje.

“Pikërisht kjo më pëlqen edhe mua. Dua që lojtarët e mi të japin gjithçka në fushë, për fanellën dhe tifozët, jo për mua personalisht. Jemi pjesë e Manchester United dhe luajmë për të ngritur sa më lart këtë emër. Merkatoja në Premier League është mbyllur dhe Pogba do të vijojë të jetë pjesë e skuadrës tonë”, deklaroi tekniku portugez.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat