Bolt nis zyrtarisht stërvitjen si futbollist profesionist

Futboll

Bolt nis zyrtarisht stërvitjen si futbollist profesionist

Më: 22 gusht 2018 Në ora: 13:37
Bolt

Për njeriun më të shpejtë në botë, sprinterin xhamajkan Usain bolt, ka nisur zyrtarisht aventura e tij si futbollist profesionist, pikërisht në ditën e 32-vjetorit të lindjes (21 gusht).

Rekordmeni i botës në 100 dhe 200 metra ka nisur stërvitjen me ekipin australian të Coast Central Mariners, skuadër që militon në A-League të kampionatit australian të futbollit. Ai ka shkelmuar topat e parë me skuadrën e tij të re në qendrën stërvitore të Gosford, pak minuta larg Sidney.

“Kam ardhur këtu për të dhënë maksimumin tim. Kjo është një periudhë stërvitore pa afat për mua, ku shpresoj të tregoj aftësitë e mia me topin. Nuk jam në fushën time, pasi këtu nuk ka vetëm shpejtësi e vrap, por edhe teknikë e taktikë, veprime me topin dhe skuadrën, ndaj duhet të përpiqem të kuptoj në maksimum atë që do trajneri. Dita e parë e stërvitjes, ashtu si në atletikë, është gjithnjë e vështirë, por dua ta bëj këtë ekip të ndihet krenar për mua”, tha Bolt.

Atleti xhamajkan ende shpreson të luajë një ditë me skuadrën e tij të zemrës, Manchester United. “Uroj që kjo karrierë si futbollist që nis këtu në Australi të jetë një trampolinë e mirë për mua, që në të ardhmen të luaj një ditë te skuadra ime e zemrës. Ndoshta jam pak nervoz në këtë fillim të aventurës si futbollist, por jam edhe entuziast që një ditë do të shkoj aty ku ëndërroj”, tha Bolt

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat