Abazi: Tifozët ‘Shqiponjat e Zeza’ janë fuqi e Drenicës

Futboll

Abazi: Tifozët ‘Shqiponjat e Zeza’ janë fuqi e Drenicës

Nga: Kemajl Goca Më: 22 gusht 2018 Në ora: 15:14
Armend Abazi

 

Fillimi i edicionit të ri në IPKO Superligën e Kosovës solli disa rezultate befasuese për dashamirët e lojës më popullore në botë, futbolli. E para, askush nuk e kishte pritur Drenicën nga Skenderaj që të triumfoi (1:0) në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, kundër Llapit!

E dyta, Liria nga Prizreni si skuadër me renome konsiderohej si favoritë, por i hasi sharra në gozhdë në përballje me Ballkanin nga Theranda, duke pësuar humbje me rezultat 1:0.  Këto rezultate janë si dëshmi se nuk luajnë emrat, por duhet angazhim në fushë. Drenica importoi tri pikë shumë të vlefshme në hapje të edicionit, duke iu falënderuar golit të Armend Abazit. Qendërsulmuesi shprehet se nisma e mirë është edhe si fryt i punës në klubin e Drenicës. 

Futbollisti pretendon të vazhdojnë me rezultate të mira dhe në anën tjetër përgatiten për takimin e radhës, kundër Feronikelit nga Drenasi. Abazi mendon se do të jetë vështirë me Feronikelin por beson se do të dalin të pamposhtur në derbin e rajonit të Drenicës.

“Bota sot”: Drenica u kthye me tri pikë nga Llapi, a mendoni se ishte një fitore e papritur dhe befasia më e madhe e javës së parë?

Armend Abazi: Nga këndi i jashtëm ka qenë befasi duke parë organizimin e Llapit, mirëpo përgatitja gjatë javës, harmonia dhe angazhimi maksimal kanë bërë që të dalim fitimtarë nga Podujeva.

“Bota sot”: Si e sheh Drenicën në vazhdim të kampionatit?

Armend Abazi: Fillimi ka qenë i mbarë, gjë që është e rëndësishme për vazhdimin e kampionatit tutje. Unë personalisht besoj në rezultate pozitive dhe pse jo të jemi një ekip me pretendime.

“Bota sot”: Cilat janë synimet e Drenicës?

Armend Abazi: Unë besoj në këtë ekip, harmonia është e mrekullueshme, gjë që na bënë një ekip të fortë, besoj shumë se nëse vazhdojmë me këtë seriozitet do të jemi në garë për ndonjë trofe.

“Bota sot”: Në fundjave kundër Feronikelit, njëra prej sfidave më të vështira?

Armend Abazi: Kundër Feronikelit është derbi lokal, që e bënë këtë lojë me atraktive. Mirëpo jemi si vendas, kemi përkrahjen e ‘Shqiponjave të Zeza’ dhe tifozëve drenicas, gjë që na bënë të jemi më të fortë dhe me një përparësi në këtë takim.

“Bota sot”: Çka e dallon Drenicën nga skuadrat tjera?

Armend Abazi: Është vetë fillimi i kampionatit, mirëpo një gjë që na jep motiv të madh është tifozeria, gjë që e bënë dallimin kundër ekipeve të tjera.

“Bota sot”: A do të jetë një rivalitet me i madh se edicionin e kaluar në luftë për titull dhe për mbijetesë?

Armend Abazi: Duke parë transferimet e bëra nga ekipet prej rajonit, e bënë që liga të jetë më e fortë dhe më konkurruese për çdo aspekt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat