Krasniqi: Në Kukës erdha për titullin

Futboll

Krasniqi: Në Kukës erdha për titullin

Më: 23 gusht 2018 Në ora: 10:51
Krasniqi: Në Kukës erdha për titullin

Gëzim Krasniqi është lojtari më i ri i Kukësit. Mbrojtësi, që më parë është aktivizuar edhe në radhët e Partizanit, ka firmosur një kontratë 1-vjeçare me kuksianët me opsion rinovimi dhe për 1 vit tjetër me pagë mujore prej 2500 eurosh plus bonuse. I prezantuar nga drejtori Nexhipi, Krasniqi cilësohet si një afrim i goditur në repartin e prapavijës dhe një garanci më shumë për trajnerin Cungu.

Sakaq, vetë 28-vjeçari në një deklaratë të dhënë për “SuperSport” thotë se zgjodhi verilindorët për titullin. “Të jem i sinqertë, kanë qenë objektivat që klubi i Kukësit ka shfaqur sezonet e fundit, të cilat më kanë bindur t’i bashkohem kësaj skuadre. Dëshira për të fituar titullin është e madhe dhe për këtë arsye erdha. Skuadrat në Superiore nuk kanë ndonjë diferencë të madhe, ndaj besoj se Kukësi do të bëjë diferencën.

Ndoqa të dielën ndeshjen Teuta-Flamurtari dhe vlonjatët m’u dukën shumë dobët, ndërsa durrsakët më befasuan. Megjithatë, ne duhet ta vlerësojmë shumë që të arrijmë një rezultat pozitiv”, u shpreh fillimisht mbrojtësi, që për 5 muaj luajti te Rabotniçki. Nuk mund të mungonte edhe një “thumb” për Partizanin, atje ku luajti për 5 vite.

“Kur isha unë, ishte tjetër atmosferë. Tani nuk më ngroh Partizani aspak. Nuk më duket se kanë bërë diçka serioze, pasi kanë ndryshuar thuajse 90% të skuadrës. Nëse ndryshon ekipin çdo sezon, është e vështirë të bësh hair”, përfundoi Gëzim Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat