Shkëndija pranë historisë

Futboll

Shkëndija pranë historisë

Më: 23 gusht 2018 Në ora: 10:54
Shkëndija pranë historisë

Shkëndija e Tetovës për të tretin edicion radhazi pranë grupeve të Europa League-s. Pasi u eliminuan në dy edicionet e fundit nga ekipe të mëdha si Genti dhe Milani, të besuarit e trajnerit Qatip Osmani do të tentojnë të bëjnë mrekullinë ndaj Rosenborgut, një ekip me histori në kompeticionet europiane, por që nuk ka qenë në nivelet në dekadën e fundit. Ndeshja e parë do të zhvillohet, sot, në orën 20:45, në “Lerkendal Stadion” të Trondheim dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në Supersport 2. Trajneri Qatip Osmani dhe kapiteni Armend Alimi kanë folur para mediave norvegjeze për objektivin që kanë kuqezinjtë në këtë takim të parë.

“Sot dhe pas një jave Shkëndijën e presin dy ndeshje përballë një kundërshtari cilësor si Rosenborgu. Sigurisht që e kemi analizuar kundërshtarin dhe mund te them se bëhet fjalë për ekipin më të suksesshëm në Norvegji dhe ne kemi respekt të madh për të. Rosenborgu është skuadër me shumë eksperiencë, ky është realiteti, por Shkëndija do të bëjë çmos për të kaluar këtë pengesë, për të hyrë më pas në grupet e UEFA Europa League”, – deklaroi trajneri Qatip Osmani.

“Jemi të vetëdijshëm se na presin dy ndeshje të vështira kundër Rosenborgut, mirëpo ne jemi të përgatitur për të bërë hapin e madh në historinë e klubit dhe shpresoj se mund t’ia arrijmë qëllimit”, – tha kapiteni Armend Alimi.

Pas konferencës për shtyp kuqezinjtë zhvilluan seancën stërvitore zyrtare në “Lerkendal Stadium”, ku mungesa e vetme do të jetë Bejtullai, i cili ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat