Mangësi në dokumentacion, bashkia i vë kushte FSHF-së për “Loro Boriçin”

Futboll

Mangësi në dokumentacion, bashkia i vë kushte FSHF-së për “Loro Boriçin”

Më: 23 gusht 2018 Në ora: 14:46
Mangësi në dokumentacion, bashkia i vë kushte FSHF-së për “Loro Boriçin”

“Loro Boriçi” mbetet një çështje e hapur mes FSHF-së dhe Bashkisë së Shkodrës. Impianti, i cili vazhdon të jetë streha kryesore e Kombëtares shqiptare, po përdoret pa pasur dokumentacion të plotë. U bë gati një vit që po diskutohet se kush do ta marrë në dorëzim këtë stadium.

Megjithatë, negociatat e vazhdueshme nuk kanë gjetur ende një zgjidhje dhe rrjedhimisht nuk ka pasur as akord mes palëve. Në kësi kushtesh, nuk është përcaktuar ende se kush do të menaxhojë këtë stadium. Një muaj më parë, FSHF i është drejtuar Bashkisë Shkodër duke i kërkuar përsëri një zgjidhje përfundimtare, megjithatë duket e largët. Federata i ka dhënë dy variante institucionit vendor: ose stadiumin ta menaxhojë plotësisht FSHF ose Bashkia Shkodër.

Ky rast është diskutuar në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak dhe anëtarët kanë theksuar se nisja e bisedimeve pas 3 vitesh jo vetëm që është shumë e vonuar, por e papranueshme, sepse duhej të ishte bërë shumë më përpara. Në kuadër të bisedimeve, më 11 korrik FSHF iu drejtua me një shkresë bashkisë, duke i propozuar variantet e mësipërme. Sipas asaj që ka raportuar “Star Plus” ditë më parë, bashkia nuk shfaq gatishmërinë që të marrë në dorëzim stadiumin, pasi evidenton se ka mungesë dokumentesh nga ana e FSHF-së dhe këtu përfshihet leja e ndërtimit apo akti i kolaudimit.

Sipas të gjitha gjasave, bashkia nuk do të marrë në dorëzim impiantin derisa të plotësohet ky dokumentacion, duke prodhuar ngërçin e radhës për një stadium, i cili ka shkaktuar shumë telashe në aspektin administrativ që në momentin e ndërtimit të tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat