Flamurtari–Kukësi, sfida e numrave

Futboll

Flamurtari–Kukësi, sfida e numrave

Më: 23 gusht 2018 Në ora: 16:55

Flamurtari–Kukësi është një sfidë pretendentësh, pasi përballen dy ekipe që këtë edicion vijnë me synime të mëdha. Vlonjatët kanë bërë investime të rëndësishme, kanë ruajtur pjesën më të madhe të grupit, duke sjellë në Vlorë emra me peshë, që nisin nga trajneri Ilir Daja.

Ndryshime edhe te Kukësi, që nisin nga stoli për të vijuar në fushë. Një sezon më parë te verilindorët sinonimi i golit ishte shkodrani Sidrit Guri, që këtë vit është larguar drejt Belgjikës. Ndërkohë për kuqezinjtë zgjidhja e golit ka qenë Tomislav Busic. Në përballjen e javës së dytë vëmendja shkon te dueli Busic–Reginaldo, sulmues që në debutim nuk arritën të linin gjurmë.

Kroati shënoi 8 gola edicionin e shkuar me Flamurtarin, ndërkohë që në sezonin e parë me fanellën kuqezi realizoi 10 herë. Kuotën më të lartë të golave Busic e ka kur luante me Vllazninë në sezonin 2013-2014, plot 13. Reginaldo ka patur progres pas prezantimit të tij në futbollin shqiptar. Shënoi 8 gola në Gjirokastër, për të kapur kulmin me Laçin sezonin e shkuar ku arriti të realizonte plot 18 herë për të qenë i 3-ti në renditjen për “Këpucën e Artë”.

Këtë sezon fati i golit varet te të dy lojtarët me Busicin që mund të jetë më produktiv me sistemin e lojës së aplikuar nga Ilir Daja. Flamurtari–Kukësi pritet të jetë një sfidë nën ritmin e golave me dyshen Busic-Reginaldo, sulmues që duhet të gjejnë golin këtë kampionat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat