Kryeziu firmos për disa vite me klubin zviceran

Futboll

Kryeziu firmos për disa vite me klubin zviceran

Nga: K. G. Më: 23 gusht 2018 Në ora: 19:07
Leutrim Kryeziu

Skuadra e elitës së futbollit zviceran, Lugano, në faqen e saj ka konfirmuar përforcimin me Leotrim Kryeziun. “Sulmuesi i ri nga Kosova, i lindur më 25 janar 1999, vjen nga KF Drita e Gjilanit, kampion aktual i Kosovës. Leotrim, i cili gjithashtu ka paraqitje të shumta me kombëtaren e moshave 19-vjeçare të Kosovës, ka firmosur deri më 30.06.2022 për ekipin tonë, bëhet e ditur nga klubi. Edhe vet futbollisti Kryeziu ka bërë të ditur marrëveshjen.

“Katër vitet e ardhshme në FC Lugano. I falënderohem Zotit që më ka mundësuar të jam ky që jam.  I detyrohem pafund familjes sime të shenjtë që ka mbështetë në kontinuitet çdo hap të karrierës sime, që nga fillet e formësimit gradual, edhe përkundër sfidave të shfaqura ndër vite! Jam shumë mirënjohës e falënderues për ambientin shumë familjarë, pritjen e ngrohtë dhe klimën miqësore që më është ofruar te FC Lugano, për ç'gjë ndjehem i privilegjuar. Shpresoj të jap maksimumin tim, në funksion të sukseseve te skuadrës së re.

Po ashtu jam mirënjohës për angazhimin e madh të menaxherëve Mirvan Krasniqi e Nicola Giuliani. Karriera ime profesionale në mënyrë permanente është përkrahur pa rezervë nga personalitete të veçanta te FC Drita, nga presidentët Flamur Bunjaku e Valon Murseli dhe drejtori sportiv Fisnik Kërçeli, Feti Murseli, Jetmir Salihu. Pafundësisht mirënjohës! Ekskluzivisht falënderoj për mbështetje tifo-grupin më të zjarrtë, ‘Intelektualët’. Mirënjohës e falënderues për inkurajimin e besimin permanent nga trajneri Ismet Munishi, vigjilenca dhe shtytja e të cilit më ka bërë të ndihem më se i sigurtë në çdo hap të rrugëtimit tim ‘nën urdhrat’ e tij, por edhe trajnerëve tjerë te skuadra e zemrës, ‘FC Drita’. Karriera ime profesionale ka pasur ngritje të theksuar sidomos gjatë paraqitjeve në arenën ndërkombëtare si pjesë e Përfaqësueses U19-të të Kosovës.

Tërë ai shkëlqim ka një të vetëm destinim, në adresë të trajnerit tim Ramiz Krasniqi. Pa dyshim që falënderim të veçantë i dedikohem shumë personaliteteve që më kanë mbështetur, stimuluar e inkurajuar që nga hapat e parë të filleve të karrierës sime, si  Nesret Kallaba; trajnerin tim të parë (tashmë të ndjerë!), Kemajl Halimi (Raci), mbështetja e të cilit më ka bërë që të ëndërroj, që në hapat e parë të karrierës, për nivele të larta të futbollit ndërkombëtar. Mirënjohës pafund edhe për trajnerit tim të grupmoshave, Skënder Bunjaku (Kacari). Ndjehem i privilegjuar që gjatë "itinerarit" të karrierës sime pata nderin dhe fatin të isha pjesë e Akademisë së futbollit ‘Loro Boriçi’ (Shkëndija) - Tiranë, nën drejtimin e trajnerëve, Genc Mahutaj e Luan Pinari”, shkruan mes të tjera Kryeziu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat