Jeta e futbollistëve në rrezik

Futboll

Jeta e futbollistëve në rrezik

Më: 24 gusht 2018 Në ora: 16:04
Pamje nga një ndeshje

Momente ankthi, frike, shqetësimi janë përjetuar në minutat e para të takimit miqësor Skënderbeu-Pogradeci, kjo jo vetëm në fushë, por edhe te spektatorët. Në një përplasje mes dy futbollistësh njëri është dëmtuar dhe pikërisht në këtë çast të gjithë janë stepur dhe i ka përfshirë paniku, futbollisti bie në tokë pa ndjenja dhe për më shumë i kalon edhe gjuha brenda, shkruan panoramasport. Është ky moment që sjell edhe diskutimin e madh që kthehet në një çështje shumë madhore për jetën.

Shpesh jemi mësuar të themi hynë në fushë stafet mjekësore, por pikërisht kjo është ajo që vërtet të çudit. Mungesa e mjekëve specialistë është thelbi i gjithçkaje edhe për vetë faktin se jo vetëm ekipet e të rriturve luajnë në këto terrene, por janë edhe grupmosha që stërviten në këto fusha çdo ditë. E cili është rezultati në fund, 0 mjekë specialistë. Kjo u pa qartë, kur ishte e vështirë për të mos thënë e pamundur të kthehej futbollisti në normalitet.

Sigurisht, le të flasim hapur, për sa i përket Skënderbeut, Jorgo Pantazi është një nga mjekët fizioterapistë më të mirë për momentin në klubet shqiptare. Por domosdoshmëria për një mjek specialist është e madhe. Atëherë shtrohet pyetja ku jemi ne që zhvillojmë aktivitet sportive, ku jemi ne ose më saktë ju drejtues, kur në dhomat e stadiumit nuk ka një dhomë të mirëfilltë mjekësore, ku nuk ka një bombël oksigjeni, ku nuk ka një mjek?!

Paralelisht me këtë miqësore zhvillohej edhe një miqësore tjetër, Vora – Maliqi, atje natyrisht nuk kishte mjek. Po sikur të ishte një situatë e tillë, pak më tej zhvillonin stërvitje me dhjetëra fëmijë të moshave të vogla deri te të rinjtë. Kush duhet të kujdeset për një situatë të tillë? U takon organeve, të cilat organizojnë aktivitetet sportive që të mos heshtin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat