Shkëlqen Salah, Liverpooli realizon fitoren e tretë rresht

Futboll

Shkëlqen Salah, Liverpooli realizon fitoren e tretë rresht

Më: 25 gusht 2018 Në ora: 20:32
Mohamed Salah

Mohamed Salah është përkujdesur t’ia sigurojë Liverpoolit fitoren e tretë rresht në po aq takime në sezonin e ri në Premierligë, duke e mposhtur Brightonin me rezultat minimal të shtunën në “Anfield”.

Brighton pritej t’i shkaktonte telashe skuadrës së Jurgen Kloppit, pasi vinte nga një fitore madhështore ndaj Manchester Unitedit vetëm një javë më parë, megjithatë Liverpooli arriti të fitojë 1-0 falë golit të superyllit Salah.

Ky ishte goli i 29-të në 29 paraqitje në “Anfield” për Salahun, rekord mbresëlënës.

Pasi i mposhti West Hamin dhe Crystal Palacin në dy ndeshjet e parë, Liverpooli e fitoi edhe ndeshjen e tretë në ligën elitare angleze, që u zhvillua në “Anfield”.

Të kuqtë ishin skuadër dominuese në këtë takim dhe arritën golin e epërsisë pas një super aksioni, gjatë të cilit Roberto Firmino asistoi te Salah, i cili ishte i saktë, kur kishin kaluar 23 minuta lojë.

Kaq kishte nga një pjesë e parë që i takoi plotësisht vendasve.

Në pjesën e dytë, Brighton nuk pati asnjë goditje në portën e Alissonit, derisa Liverpooli pati 7 goditje në portë, nga 15 tentime.

Anësori kosovar, Xherdan Shaqiri, e nisi nga stoli takimin por nuk u aktivizua fare nga Klopp.

Kështu, Liverpooli tani ka 9 pikë, nga 3 takime dhe është lider i Premierligës, ndërsa Brighton mbetet në kuotën e 3 pikëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat