David Luiz: Conte donte të largohesha, ja pse qëndrova te Chelsea

Futboll

David Luiz: Conte donte të largohesha, ja pse qëndrova te Chelsea

Më: 26 gusht 2018 Në ora: 12:43
David Luiz

Mbrojtësi brazilian i Chelsea, David Luiz, në një intervistë të bërë publike sot në “Sky Sports”, në prag të ndeshjes ndaj Newcastle, pranon se ka kaluar një sezon të vështirë nën urdhërat e trajnerit italian Antonio Conte.

Edhe pse braziliani ishte protagonist në titullin kampion që “blutë” e Londrës korrën dy vite më parë, krejt papritur Luiz e pa vetën në stol, madje u përfol se ai do të largohej, pasi nuk kishte më besimin e trajnerit Conte.

“Kam mësuar shumë gjëra nga sezoni i fundit, por mbi të gjitha mësova të jem i durueshëm edhe pse Conte nuk më donte. Ndonjëherë ke nevojë që të kujdesesh për trupin tënd, ndonjëherë duhet t’i shohësh gjërat me qetësi për të kuptuar se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen. Ndaj për mua ky sezon i fundit ishte i rëndësishëm për të kuptuar shumë gjëra”, thotë david Luiz.

“Edhe pse kam patur dhimbje, sa herë që Conte më aktivizonte luaja, nuk thoja jo. Kjo më bëri që sot të jem ende te Chelsea dhe falënderoj trajnerin Sarri që më dha besimin e munguar. Nëse sot jam sërish këtu te Chelsea është se ai beson tek unë dhe unë do t’ia shpërblej në fushë këtë besim. Ky është vetëm fillimi i Sarri në krye të Chelsea, ka shumë gjëra të reja që po transmeton çdo ditë në stërvitje dhe jam i sigurt se do të argëtohemi të gjithë”, u shpreh Luiz.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat