Shkëndija me ngulmë kërkon fitore kundër Bellasicës

Futboll

Shkëndija me ngulmë kërkon fitore kundër Bellasicës

Më: 26 gusht 2018 Në ora: 16:27
Qatip Osmani

Java e tretë në Kampionatin e Maqedonisë Shkëndijës nga Tetova i sjell ndeshje me Bellasicën e Strumicës të hënën nga ora 16:30 në Tetovë.

Në vigjilje të ndeshjes të së enjtes me Rosenborgun e Norvegjisë në play off të UEFA Europa League e cila mund të rezultojë me sukses historik për kuqezinjtë, Shkëndija të hënën duhet të kryejë obligimet në kampionatin vendor. Djemtë e trajnerit Qatip Osmani në xhiron e tretë përballë Bellasicës nga Strumica kërkojnë fitoren e parë në sezonin e ri, pas dy barazimeve në xhirot e para. Duke qenë pranë grupeve në UEFA Europa League, ekipi duket i karikuar për të bërë detyrën në kampionat.

Objektiv mbeten tre pikët dhe drejt këtij synimi skuadra shkon e kompletuar, pasi trajneri Osmani ka në disponim të gjithë futbollistët. Në kombinim janë edhe kapiteni Alimi që humbi takimin e fundit kampional shkaku i pezullimit me karton të kuq dhe Bejtullai që nuk ishte fare në Norvegji për shkak se të drejtën e lojës i hoqën tre kartonat e verdhë në eliminatoret europiane. Për 18-shen që do jenë në kombinim dhe formacionin startues kundër Bellasicës do të vendoset pak orë para fillimit të ndeshjes, gjithnjë duke patur në mendje sfidën historike të enjten me Rosenborgun.

Bellasica rikthehet në elitën e futbollit vendor pas 12-të viteve. Skuadra nga Strumica kujton me nostalgji vitet e largëta kur luftonin për titull dhe përfaqësonin vendin në Europë, pasi situata momentale i sheh ata si ekip i ri në Ligën e Parë. Starti në shoqërinë elitare nuk ishte aspak i mirë për ta, pasi u mundën në të dyja përballjet, fillimisht 1:0 nga Pobeda në Manastir, pastaj 0:2 në derbin e Strumicës nga Akademia Pandevi. Gjithsesi në Tetovë vijnë pas një fitoreje bindëse pasi mesjavën e kaluar mundën si mysafirë 4:0 Vëllazërimin në raundin e parë të edicionit të ri të Kupës së Maqedonisë.

Për herë të fundit në një ndeshje zyrtare Shkëndija dhe Bellasica janë përballur në maj të vitit 2010 në kuadër të Ligës së Dytë. Kuqezinjtë fitonin 2:0 të dy takimet e atij sezoni bindës kur zunë vendin e parë dhe siguruan rikthim në Ligën e Parë, që më pas në sezonin pasardhës Shkëndija të fitonte titullin e parë në histori si kampion në Maqedoni. Ndryshe dy skuadrat në tetor të vitit 2015 zhvilluan një ndeshje miqësore në Strumicë, në të cilën Shkëndija fitonte bindshëm 6:0.

Shkëndija-Bellasica luhet të hënën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 16:30, ndërsa hyrja për publikun është pa pagesë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat