UEFA gjobit edhe Laçin

Futboll

UEFA gjobit edhe Laçin

Më: 27 gusht 2018 Në ora: 14:14
UEFA gjobit edhe Laçin

Sa herë kemi ndeshje ndërkombëtare, frika më e madhe e federatës apo klubeve është gjoba e mundshme nga UEFA apo FIFA, për shkak të sjelljes së gabuar të tifozëve. Pavarësisht nga masat organizative, që ndonjëherë janë ekstreme, sërish ka njerëz që stadiumin e shohin si një arenë ku mund të hedhin gjithçka në fushë, apo të thonë gjithçka kanë dëshirë.

Nëse në Shqipëri shumë gjëra anashkalohen, jashtë saj ka rregulla strikte dhe këtë radhë e ka pësuar Laçi. Klubi kurbinas informon se UEFA i ka vendosur gjobë për ndeshjen kundër Anorthosis, zhvilluar më 19 korrik.

Në atë takim Laçi fitoi 1-0, por gjatë ndeshjes pati hedhje sendesh në fushë dhe gjithashtu delegati i UEFA-s ka mbajtur shënim edhe sjelljen e spikerit të stadiumit, i cili kaloi masën me thirrjet gjatë ndeshjes, disa prej të cilave janë konsideruar nacionaliste.

“Klubi i Laçit ndëshkohet me masë administrative (gjobë) nga UEFA për sa i përket ndeshjes kundër Anorthosis në Europa League zhvilluar ne Laç për hedhje sendesh në fushë nga ana e tifozerisë laçiane dhe thirrje te ashtuquajtura nacionaliste nga ana e spikerit të ndeshjes në mikrofon në stadium. Si bord drejtues i klubit lutemi të mos kemi me hedhje sendesh apo thirrje nacionaliste, sepse çdo gjë është në dëm të klubit tonë. Lutemi në mirëkuptimin tuaj dhe shpresojmë në mospërsëritjen e këtyre veprimeve. Ekipi jonë flet në fushë dhe jo me sende (shishe, gota, çakmakë) jashtë saj. Ne raste te përsëritura kjo gjë do çojë në vendime që do merren nga ana e klubit kundrejt individëve që do dëmtojnë imazhin dhe historinë e klubit tonë”, shkruhet në njoftimin e Laçit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat