Presidenti i Kukësit:Të rikthehet policia ose të bllokohet kampionati

Futboll

Presidenti i Kukësit:Të rikthehet policia ose të bllokohet kampionati

Më: 27 gusht 2018 Në ora: 15:26
Safet Gjici

Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, së fundmi ka lëshuar një deklaratë duke bërë thirrje që Policia e Shtetit të rikthehet në stadium për të ruajtur rendin. 

Sipas Gjicit, policia private nuk janë në gjendje të ruajnë sigurinë në stadium dhe duhet me patjetër rikthimi i policisë ose përkundrazi duhet bllokuar kampionati.

“Unë e kam thënë që siguria në stadiumi nuk mund të bëhet me polici private. Është e pamundur. Nuk janë pjekur akoma kushtet në Shqipëri, dhe tifozeria nuk është ndërgjegjësuar akoma për të pasur siguri me polici private. Është e pamundur. Me Policinë e Shtetit kemi pasur probleme, edhe në vitet e kaluara. Nuk janë akoma kushtet e pjekura, për të hequr Policinë.

Zgjidhje është të rikthehet Policia e Shtetit në krye të detyrës, sepse ligji e përcakton qartë, që të garantojë sigurinë publike. Aty kemi të bëjmë me njërëz, me tifozë, futbolli është sport masiv. Ka shumë tifozë, vijnë lloj-lloj tifozi. Kemi pas shumë tifozë në Kukës, vinin në stadium, thyenin stolat, i merrte policia 2-3, e më pas i nxirrte. Ata përsëri ata punë bënin. Pavarësisht se në Kukës tifozët patën një qetësi, dhe nuk kishim ato probleme si në vitin e parë, nuk kemi pasur ngjarje të rënda. Por, në përgjithësi kur luajnë ekipet rivale, ato kryesore, do kemi përsëri probleme me sigurinë.

Jam dakord që të gjithë presidentët në Shqipëri, ne duhet të bllokojmë kampionatin nëse Policia nuk kthehet të ruajë stadiumet. Kemi të bëjmë me sigurinë publike. Jo pafundësisht mund të shkojë kjo gjë, pasi ka kosto edhe Policia. Këto ekipe mbahen për njerëzit, sepse në fund ne heqim dorë nga futbolli, dhe nuk ka më futboll. Të 10 ekipet e Superligës duhet të bllokojmë kampionatin nëse nuk rikthehet Policia. Janë të pafuqishëm edhe nga ana financiare, është një kosto e madhe, në një kohë që nuk kemi asnjë ndihmë nga shteti për të mbajtur klubet. Zero ndihmë. Gjithçka, shpenzimet i kanë vetëm presidentët. Flas për Superligën, nuk e di për Kategorinë e Parë. Mesa di unë, 99% të ekipeve të Superligës, mbahen nga presidentët. Ne investojmë, por asetet janë të shtetit. Ne mbajmë një aktivitet që ka shumë kosto, dhe tani na shtohen edhe kostot e policisë private, dhe nuk është problemi, se ja e përballuam 3-4 ekipe, por nuk realizojmë dot atë që merret përsipër, siguria publike. Tifozët kanë pasur sherre me Policinë e Shtetit, jo më pastaj me policitë private. Ato nuk i llogarisin private. Unë e di se çfarë është, sepse e kam pasur vetë, e di se sa siguri mund të bëjë, por me turma masive, nuk është e përgatitur. E patë çfarë bënë tifozët në Korçë. Duhej policia e shtetit të stabilizojë gjendjen. Sapo ka filluar kampionati, sepse kur të kalojnë 1-2 muaj, do fillojë të ketë akoma më shumë rivalitet. Unë i bëj thirrje kolegëve, presidentëve të klubeve, të mblidhemi, që Policia të marrë përsipër sigurinë, dhe nëse ata nuk reagojnë, ne duhet të bllokojmë kampionatin.” – deklaroi Gjici.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat