Mici: Të luajmë me zemër kundër Rosenborgut

Futboll

Mici: Të luajmë me zemër kundër Rosenborgut

Më: 29 gusht 2018 Në ora: 12:04
Gledi Mici

Shkëndija nga Tetova kaloi me sukses detyrën ‘Bellasica’ në kampionat dhe tanimë gjithë vëmendjen kthejnë ka sfida historike e të enjtes përballë Rosenborgut të Norvegjisë në Shkup. Shkëndija provon të fitojë 4:1 me formacion të kombinuar në futbollin vendor dhe tanimë  këtë efikasitet ka nevojë ta bart në ndeshjen e të enjtes në takimin e kthimit të play – off-it të UEFA Europa League. Kundër Bellasicës ndër lojtarët më të mirë në terren ishte mbrojtësi i majtë, Gledi Mici, i cili kthehet të flasë për takimin e ditës së enjte ku Shkëndija do të ndjekë anulimin e rezultatit negativ 3:1 nga ndeshja e parë.

“Futbolli është i bukur dhe i paparashikueshëm, Rosenborgu është skuadër e fortë por ne kemi shpresa për të kaluar më tej. Do të japim gjithçka nga vetja dhe me pak fat besoj të kalojmë në grupe”, shprehet Gledi Mici.

Mbrojtësi i majtë beson se mbështetja e publikut në këtë ndeshje mund të rezultojë decizive, pasi që përkrahja nga tribunat është shtytje shtesë për futbollistët të japin më shumë nga vetja.

“I bëj thirrje publikut të jenë në numër sa më të madh pasi ata janë lojtari i dymbëdhjetë. Sa më shumë spektatorë të jenë në stadium aq më mirë do jetë për ne që të japim gjithçka, të luajmë me zemër dhe pse jo në fund t’i bëjmë të lumtur me sukses historik”, përfundoi Mici.

Përballja Shkëndija-Rosenborg luhet të enjten në Shkup me fillim në orën 20:15, ndërsa biletat tashmë disa ditë janë në shitje dhe pritet publiku të jetë forcë e shtuar e skuadrës në këtë betejë historike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat