Frika në mesfushë

Futboll

Frika në mesfushë

Më: 30 gusht 2018 Në ora: 11:10
Panuçi

Jo më eksperimente! Të paktën, nga sa mësohet paraprakisht nga lista që do të publikohet të shtunën nga trajneri i Kombëtares Kristian Panuçi, kuqezinjtë do të rikthehen që të luajnë me kontingjentin bazë. Gazeta “Panorama Sport”, me një hulumtim pranë burimeve informative greke mëson se trajneri i Kombëtares ka bindur edhe mbrojtësin Enea Mihaj të qëndrojë si pjesë e kuqezinjve.

Garda e vjetër në fushë. Për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve, trajneri i përfaqësueses pritet që të rikthejë mesfushorin qendror Ergys Kaçe, si dhe mesfushorin anësor me tipare sulmuese, Jahmir Hyka. Ky i fundit, protagonist me gol në ndeshjen e kaluar të San Hoze Wrthkuejks. Pas konfirmimit të gazetës në lidhje me rikthimin e Migjen Bashës dhe Ledian Memushajt, dy futbollistë për të cilët nuk ka qenë nevoja e testeve dhe eksperimenteve, mësohet se edhe Ergys Kaçe do të jetë i grumbulluar për dy takimet e radhës. Tashmë një futbollist i huazuar te Panathinaikos, Kaçe duket se e ka kaluar testin ndaj Maqedonisë dhe Spanjës, dy takime që i kanë mjaftuar Panuçit për të mësuar formën e tij.

Një lajm i mirë për Shqipërinë është se Panuçi ka bindur Enea Mihajn të mos braktisë kuqezinjtë. Disa kohë më parë, vetë lojtari njoftoi se ndihet grek dhe i lënë pas dore nga Shqipëria, kur ishte pjesë e U-21, mirëpo së fundmi, një hulumtim i gazetës në burimet e informacionit në Greqi ka mësuar se Mihaj do të jetë pjesë e Kombëtares A. Duke parë edhe pasivitetin e palës greke, qendërmbrojtësi mund të shërbejë për të ardhmen e kuqezinjve.

PA FTESË – Krejt i çuditshëm është vendimi për të mos bërë një ftesë për Azdren Llullakun. Një prej futbollistëve që është rikthyer me gol në Rumani dhe që e ka startuar punën me skuadrën thuajse i pari, për natyrë të kampionatit, nuk është preferuar në këtë grumbullim nga trajneri. Një tjetër i lënë jashtë është edhe Kristal Abazaj, për të cilin mund të ketë një ftesë nga përfaqësuesja U-21.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat