UEFA ndryshon disa nga rregullat e Ligës së Kampionëve

Futboll

UEFA ndryshon disa nga rregullat e Ligës së Kampionëve

Më: 30 gusht 2018 Në ora: 17:00
Ilustrim

Sot në orën 18:00 Monaco do të mbahet shorti i fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve. Në këtë garë, 32 skuadrat e përfshira synojnë ta arrijnë finalen e këtij sezoni, e cila do të zhvillohet në stadiumin Estadio Wanda Metropolitano, shtëpia e Atletico Madridit.

Gjatë 26 viteve të fundit, ndeshjet e Ligës së Kampionëve gjithmonë kanë filluar në orën 20:45, ndërsa këtë sezon shumica prej tyre do të fillojnë në orën 21:00, përderisa disa nga to do të nisin edhe më herët se zakonisht, në 18:55.

Një tjetër ndryshim i cili do të aplikohet këtë sezon, është përdorimi i teknologjisë nga trajnerët dhe stafi në bankën rezervë. Ata tani kanë mundësi të komunikojnë edhe më stafin i cili ndodhet në ulëset e stadiumit, të cilët e shohin ndeshjen nga një perspektivë tjetër. Për më tepër, edhe trajnerët të cilët gjyqtarët i largojnë nga ndeshja mund të flasin me pjesëtarë të stafit, gjë që nuk lejohej sezonet e kaluara.

Këtë sezon, klubet do të kenë të drejtë të bëjnë edhe një zëvendësim të katërt nëse ndeshja vazhdon në pjesët shtesë, pas 90 minutave lojë. Ky rregull konsiderohet se ishte i suksesshëm në Kupën e Botës në Rusi, dhe u përdor edhe në ndeshjen e Superkupës së Evropës mes Atleticos dhe Real Madridit.

Skuadrat të cilat arrijnë deri në finalen e Ligës së Kampionëve nuk do të duhet t’i lënë jashtë listës së skuadrës disa nga lojtarët më të rëndësishëm, ashtu siç iu është dashur të veprojë në të kaluarën Real Madridit. Rregullat e reja të këtij turneu e bëjnë të qartë që të gjithë lojtarët mund të përfshihen në këtë ndeshje.

Dhe përkundër faktit që logoja e Ligës së Kampionëve është shumë e famshme, pas 26 viteve, UEFA janë duke e ndryshuar edhe atë. Por, yjet dhe topi i futbollit do të mbeten element kyçe të simbolit të ri.

Përkundër të gjitha këtyre ndryshime, një nga gjërat më të habitshme është vendimi i UEFA-s për të mos përdorur VAR-in (Video Assistant Referee) në këtë turne, pasi që presidenti Aleksander Ceferin është ende i pasigurt për këtë teknologji.

“Tifozët nuk e kuptojnë këtë gjë, dhe as gazetarët”, ka thënë Ceferin.

UEFA do të mbikëqyrë përdorimin e VAR-it në ligat e ndryshme ku përdoret, por nuk beson se ky është momenti i duhur që të përdoret kjo teknologji. Por, ende ka mundësi që ai të bëhet pjesë e referimit në finalen e Ligës së Kampionëve.

Roberto Rosetti, i cili i kishte trajnuar gjyqtarët e Kupës së Botës për VAR-in, e ka zëvendësuar Pierluigi Collinan si udhëheqës i referimit në UEFA. Edhe ky mund të japë dorëheqje nga kjo pozitë nëse UEFA vazhdon ta refuzojë përdorimin e kësaj teknologjie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat