Si u nda Kosova me Maqedoninë?

Futboll

Si u nda Kosova me Maqedoninë?

Më: 31 gusht 2018 Në ora: 10:35
Pamje nga ndeshja

Tri shtylla e një gol i anuluar është bilanci i ndeshjes së parë i Kombëtares A të femrave kundër kombëtares së Maqedonisë. Para ndeshjes një fjalë përshëndetëse në takim me futbollistet, e ka mbajtur znj. Vjollcë Krasniqi, anëtare e KE dhe kryetare e Komisionit për futbollin e femrave, e cila duke i përgëzuar ekipin dhe ju uruar sukses në emër të presidentit të FFK-së z. Agim Ademi  dhe të KE ka theksuar: ”FFK-ja është e përkushtuar dhe po angazhohet shumë për zhvillimin e futbollit të femrave dhe krahas Ligës, rëndësi të veçantë po i kushton ndërtimit të ekipeve Kombëtare dhe jo vetëm kësaj A, por edhe U-19 dhe U-16. Unë dua të besoj dhe shpresoj se në ndeshjen e sotme do të jepni maksimumin e juaj sikur të ishte ndeshje kualifikuese dhe jo miqësore, në mënyrë që të keni një paraqitje dinjitoze. FFK-ja dhe shtabi teknik ka besim te ju si grup dhe ju duhet të veproni si një trup ani pse loja e futbollit është kolektive. Pa dyshim që ju sot do ta prezantoni futbollin e Kosovës dhe jo vetëm kaq por edhe shtetin e Kosovës në mënyrën më të mirë”.

Këtë ndeshjen e ndoqën presidenti i FF të Maqedonisë z. Muhamet Sejdini, i cili u dëshiroj mirëseardhje znj. Vjollcë  Krasniqi, anëtare e KE si dhe dy zyrtarëve të FFK-së  shefit të financave të FFK-së z. Agim Gashi dhe zyrtarit për integritet z. Ejup Osmani, që  kishin ardhur enkas për ta ndjekur ndeshje. Ndeshja u karakterizua me një lojë mesatare nga të dyja palët ani pse Kombëtarja jonë pati diçka më shumë nga loja. Krijoi disa raste shënimi, ndërsa futbollistet tona  goditën tri herë shtyllën dhe një gol ju mohua me pretekst  të pozitës jashtë loje që për shumë kë ishte e dyshimtë. Edhe ekipi i Maqedonisë pati një pingule dhe disa gjysmë raste por jo më shumë. Ndeshja e dytë do të zhvillohet më 2 shtator e që besojmë se vashat e Kombëtares tonë do të nxjerrin mësimet nga kjo ndeshje.

Maqedonia- Kosova  0:0 (0:0)

Stadiumi i FF të Maqedonisë, Shkup.

Shikues: disa qindra

Gjyqtare: Besa Leshi, Vjollca Izeiri, Maroja Koneska e Tamara Cvetanovska.

Maqedonia: Panchurova, Velevska(Panenska), Kolevska(Bogolevska), Y. Maksuti, Markovska(Stojkovska), Jakovska, Chubrinoska, Trajkovska(Talevska), Angelovska, H. Maksuti(Mitrevska) e Nikolovska.

Kosova:Leci, F, Shala, Reçica, Uka(Tahiri), Biçkaj, B. Shala, Topalli (Kastrati). Limani, Kryeziu, Syla e Ejupi (Haxha).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat