Osmani: Na vjen keq që nuk mundëm të kualifikohemi

Futboll

Osmani: Na vjen keq që nuk mundëm të kualifikohemi

Më: 31 gusht 2018 Në ora: 14:58
Osmani: Na vjen keq që nuk mundëm të kualifikohemi

Shkëndija nga Tetova nuk arrin të prek grupet e UEFA Europa League edhe në tentimin e tretë me radhë në fazën e play - offit, ndërsa keqardhjen e shton fakti që kuqezinjtë si asnjëherë më parë treguan nivel dhe në momente edhe dominim ndaj kundërshtarit. Mirëpo ashtu si në takimin e parë në transfertë të humbur me rezultat 3:1, futbollistët e Shkëndijës në takimin e kthimit në Shkup humbën një mori rastesh shënimi para se kundërshtari të zgjidhte dilemat me dy gola.

I natyrshëm ishte zhgënjimi në taborin kuqezi pas ndeshjes, ndërsa sipas trajnerit Qatip Osmani pa marrë parasysh të gjitha ndodhitë mbase gjërat do të kishin shkuar në kahje tjetër nëse skuadra do të realizonte njërën prej dy goditjeve nga pika e bardhë. “Sigurisht se gjithëve na vjen keq që nuk mundëm të kualifikohemi në grupet e UEFA Europa League.

Luajtëm shumë mirë, por kur nuk shënon nuk mund të shpresosh më shumë. Përveç shumë rasteve kishim dy penalti edhe atë në kohë shumë ideale, si e para ashtu edhe e dyta që do na jepte hapsirën e nevojshme për të kërkuar rezultatin e dëshiruar që do të na kualifikonte. Pas humbjes së penaltisë së dytë ra koncentrimi dhe nuk kishim ide si të depërtojmë drejt portës kundërshtare. Megjithatë dua të përgëzoj futbollistët për angazhimin dhe paraqitjen shumë të mirë për më shumë se 65-70 minuta.

Jemi të dëshpëruar por kështu e ka futbolli, jeta vazhdon më tej dhe në tashmë kthejmë koncentrimin drejt kampionatit vendor”, deklaroi Osmani. Shkëndija, kampion dhe fitues i Kupës së Maqedonisë, edhe një herë nuk ia doli të realizojë ëndrrën, që të jenë në fazën e grupeve. Skuadrës shqiptare i mbetet tani të luftojë në mbrojtjen e trofeve në Maqedoni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat