Rakovica: KEK-u nuk dorëzohet asnjëherë

Futboll

Rakovica: KEK-u nuk dorëzohet asnjëherë

Nga: Kemajl Goca Më: 31 gusht 2018 Në ora: 19:01
Muhamed Rakovica në veprim

Javët e para nuk janë edhe pasqyrë reale e rezultateve të ndonjë ekipit sepse si gjithmonë befasitë ndodhin! Kështu ndodhi edhe në këtë edicion në elitën e futbollit të Kosovës, si fitorja e  Drenicë në Podujevë kundër Llapit me 1:0 ose e Flamurtarit me 3:1 në Gjilan ndaj Dritës. Skuadra me renome KEK-u nga Kastrioti, pas disa viteve është rikthyer në IPKO Superligë, por startin e ka të dobët, dy ndeshje po aq humbje, të parën në Gjilan nga Drita me rezultat 5:0 dhe të dytën, në Kastriot me 3:2 nga Gjilani.

Megjithatë, ky është vetëm fillimi i edicionit dhe ka shumë ndeshje deri në fund, gjithsej 31, gjithçka është e hapur.  Mbrojtësi i KEK-ut, Muhamed Rakovica, shprehet se kanë një ekip të re e të papërvojë, por me bindje se me kalimin e kohës do të shënojnë rezultate gjithnjë e më të mira.

“Bota sot”: Në dy ndeshjet KEK-u nuk ka fituar asnjë pikë, pak pa fat?

Muhamed Rakovica: Mendoj se kemi qenë pak pa fat në ndeshjen e dytë kundër Gjilanit, që pësuam golin në minutat e fundit të ndeshjes dhe që ishte edhe goli vendimtar!

“Bota sot”: Si e sheh KEK-un në vazhdim të kampionatit?

Muhamed Rakovica: Në çdo ndeshje që vjen ne do të përmirësohemi. Jemi ekip e re e papërvojë, por besoj që do të kemi paraqitje mjaft të mira në ndeshjet e ardhshme.

“Bota sot”: Si e sheh ndeshjen me Flamurtarin (e diel, 16.45) dhe a shpresoni në pikën e parë, ku janë përparësitë?

Muhamed Rakovica: Jemi duke u përgatitur maksimalisht për ndeshjen kundër tyre në fundjavë. E di se është ndeshje e vështirë sepse Flamurtari po luan mjaft mirë sidomos ndeshjen e fundit që arritën ta mposhtin kampionin në fuqi Dritën. Besoj në angazhim e në paraqitje të mirë me të gjithë lojtarët, do të arrijmë rezultat pozitiv.

“Bota sot”: Çfarë i duhet më shumë KEK-ut?

Muhamed Rakovica: Siç ju thash edhe më herët, jemi një ekip e re dhe mungesa më e madhe jona është përvoja. Mendoj se na duhet vetëbesimi dhe në çdo ndeshje që e luajmë të hyjmë për fitore e jo vetëm sa për të luajtur.

“Bota sot”: A shpresoni se KEK-u do t'i ik pjesës se fundit dhe ku e sheh forcën më të madhe?

Muhamed Rakovica: Kanë kaluar vetëm dy ndeshje, është herët por një gjë është e sigurtë se nuk dorëzohemi asnjëherë edhe pse këto dy ndeshjet e para jemi pa pikë. Forcën më të madhe tek ne e shoh që secili lojtar angazhohet dhe jep maksimumin në çdo ndeshje. Mendoj se nuk kemi ndonjë individ të caktuar por funksionojmë si grup.

“Bota sot”: Cilat skuadra mendoni se mund të luftojnë për titull e cila për mbijetesë?

Muhamed Rakovica: Sezoni është shumë i gjatë dhe është herët të flasim, por për mendimin tim për titull do të luftojnë skuadrat, si Prishtina, Drita, Feronikeli dhe Llapi. Ndërsa për mbijetesë nuk di dhe nuk kisha dashur të cek ndonjë ekip.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat