Kryetari i tifozëve ‘Dardanë’: Motoja jonë, “I madhi Fadil dhe fitorja”!

Futboll

Kryetari i tifozëve ‘Dardanë’: Motoja jonë, “I madhi Fadil dhe fitorja”!

Më: 4 shtator 2018 Në ora: 11:47
Lulzim Berisha, me kapelë

Tifozët janë shpirti i çdo skuadrës dhe i çdo kombëtares, pa përkrahjen e tyre asnjë kombëtare nuk e ka edhe fuqinë në fushën e lojës. Kombëtarja e Kosovës më në fund kthehet në folenë e vet, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku do ta ketë edhe përkrahjen e madhe të tifozëve “Dardanë”, tifozë të jashtëzakonshëm dhe asnjëherë nuk iu ndanë kombëtares pavarësisht rezultateve dhe ku ka luajtur, qoftë në Elbasan qoftë në Shkodër, e gjetiu.

Kryetari i tifozëve të “Dardanëve”, Lulzim Berisha – “Luli”, premton spektakël në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë pikërisht me 10 shtator (20.45), kur Kosova do ta zhvillojë takimin e dytë të Ligës së Kombeve, Divizioni D, kundër Ishujt Faroe. Kosova përgatitet për dy sfidat, e para me 7 shtator në Baku (18.00) ndaj Azerbajxhanit dhe më pas në kryeqytet i presin Ishujt Faroe. “Luli” tha se kanë edhe një suprizë të këndshme dhe të mahnitshme, por e tëra do të shihet gjatë ndeshjes, Kosovë-Ishujt Faroe.   

Image

“Bota sot”: Kosova do ta zhvillojë ndeshjen e parë zyrtare ndërkombëtare në stadiumin e rinovuar “Fadil Vokrri” në Prishtinë, kundër Ishujve Faroe, cilat janë risitë nga tifozët “Dardanët”?

Lulzim Berisha: Risitë të “Dardanët” nuk kanë me munguar asnjëherë dhe stadiumi do të jetë i mbushur, si dhe normalisht me fitore të thellë. Kemi përgatitur një koreografi, që normalisht është surprizë për publikun.

“Bota sot”: Cila është motoja që do të futeni në stadiumin “Fadil Vokrri”?

Lulzim Berisha: Normalisht, moto e jona është “I madhi Fadil dhe fitorja”.

Image

“Bota sot”: A do të ketë një numër të madh të “Dardanëve” dhe a do të arrijë numri i tyre më shumë se 3 mijë veta?

Lulzim Berisha: Të anëtarësuar i kemi pesë mijë e më shumë “Dardanë”, ndërsa në tribunën tonë jemi 2642, sa e ka kapacitetin tribuna veriore.

“Bota sot”: Në Azerbajxhan përkatësisht në Baku do të ketë “Dardanë”?

Lulzim Berisha: Po, do të jem prezent personalisht. Besoj që kanë me ardhur edhe qytetarë me na përkrahur, kështu që Kosova asnjëherë vetëm s’ka me qenë.

“Bota sot”: Më në fund Kosova rikthehet në shtëpinë e saj, a shpresoni në suksese më të mëdha?

Lulzim Berisha: Shpresa vdes e fundit, por këtu s’ka se çka me shpresuar sepse e dimë kapacitetin që e kemi, këtu çdo fitore që do të jetë ndër dy gola dallim është humbje. Kështu që për ne çdo lojë këtu në kryeqytet ka me qenë spektakël i lojtarëve tanë.

“Bota sot”: Po ju si kryetar i “Dardanëve”, a mendoni se Kosova mund ta fitojë grupin karshi Azerbajxhanit, Maltës, Ishujve  Faroe?

Lulzim Berisha: Besoj se jemi në garë me Azerbajxhanin dhe në lojën e fundit vendoset pikërisht në stadiumin e legjendës sonë, Fadil Vokrri dhe të shtetit tonë dhe ne do të jemi në vendin e parë, ecim tutje.

“Bota sot”: Sa është vështirë të organizoheni si tifozeri “Dardanët”, si qëndroni financiarisht, a iu ndihmon FFK?

Lulzim Berisha: Kemi përkrahje të fuqishme nga FFK sepse pa ndihmën e tyre ne nuk do të mundemi me u organizuar. Pikë së pari ulja e çmimeve të biletave ka qenë një ndihmë e jashtëzakonshme, por vështirë është pak, mirëpo ja vlen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat