"Talenti" në tentativë i Milan-it firmos në Greqi

Futboll

"Talenti" në tentativë i Milan-it firmos në Greqi

Më: 4 shtator 2018 Në ora: 23:59
Hachim Mastour

E mbani mend Hachim Mastour? Të paktën nëse jeni tifozë të Milan-it, me siguri që po. Bëhet fjalë për një fenomen, por që nuk ka luajtur kurrë futboll për kuqezinjtë, përveç ndonjë miqësoreje.

Milan-i e bleu për 500 mijë euro nga Reggina para 6 vitesh dhe menjëherë Mastour u bë një supertalent dhe po flitej për një Messi të ri, ndërsa në sezonin 2013/14 Milan-i e afroi në ekipin e parë, ndonëse sapo kishte mbushur 16 vjeç.

Aftësitë e tij teknike me topin lanë gojëhapur shumë njerëz dhe videot e tij në YouTube u bënë të famshme, ndërsa e lavdëroi edhe një legjendë si Arrigo Saçhi.

Megjithatë, shpesh mrekullitë e futbollit në moshën 14-15 vjeç zhduken pak vite më vonë dhe nuk mjafton të bësh numra cirku me topin, që të jesh futbollist i vërtetë.

Milan-i e huazoi te Malaga në sezonin 2015/16 dhe Mastour luajti 5 minuta në La Liga, ndërsa Maroku e grumbulloi në kombëtare, duke bërë festë kombëtare. Një sezon më pas, huazim te Zwolle dhe 150 minuta në Holandë. Kaq, edhe Maroku e kuptoi se ia kishte futur kot.

Tani Mastour është 20 vjeç, sezonin e shkuar nuk dihet nga bridhte dhe Milan-i këtë verë ia prishi kontratën, ashtu si Oduamadi-t, që sapo mbërriti te Tirana (edhe ky një objekt misterioz, aq sa te Milan-i nuk e njihte askush rrezik nuk e kuptonin pse endej nëpër Milanello).

Për të rinisur karrierën, Mastour ka zgjedhur PAS Lamia në kampionatin grek, ku do të paguhet 200 mijë euro në vit, kontrata më e lartë në historinë e klubit të vogël grek.

Me siguri do kishte marrë më shumë në Shqipëri, por kushedi si na ka shkarë, sepse kemi presidentë që nuk pyesin, kur bëhet fjalë për talente si Mastour!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat