Pogba i kërkon falje tifozëve

Futboll

Pogba i kërkon falje tifozëve

Më: 5 shtator 2018 Në ora: 17:11
Paul Pogba

Ylli francez i Manchester Unitedit, Paul Pogba, i ka kërkuar falje tifozëve të Kombëtares së Francës pasi që ata ishin ankuar se parada e fitores me autobusin e lojtarëve të Francës kishte qenë shumë e shkurtë.

25-vjeçari kishte qenë një ndër lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës së trajnerit të Kombëtares së Francës, Didier Deschampos, në rrugëtimin e tyre drejt triumfit në turneun e Kupës së Botë në Rusi, ku edhe u shpallën kampionë.

Madje, Pogba është konsideruar një lloj lideri i skuadrës së Francës gjatë Kupës së Botës, dhe videoja e fjalimit të tij para ndeshjes së finales kundër Kroacisë është shpërndarë nëpër të gjitha rrjetet sociale. Madje, edhe vetë bashkëkombësi i tij, Antoine Griezmann, e ka pranuar se Pogba i kishte motivuar që të gjithë.

Megjithatë, pasi u bashkuan për herë të parë pas Kupës së Botës me skuadrën e Francës, Pogba mbeti i zhgënjyer me festimin dhe paradën e autobusit nëpër qytetin e Parisit, pasi që ai, si edhe tifozët, e vlerësoi se parada ishte shumë e shkurtë.

“Parada ishte me të vërtetë shumë e shkurtë edhe për në. Unë dëshiroj t’u dërgoj një mesazh të gjithë njerëzve që mendojnë se lojtarët ishin fajtorët për këtë gjë. Mendoj se kjo gjë ndodhi për shkaqe sigurie”, ka thënë Pogba.

“Por, edhe ne ishim të zhgënjyer me faktin që nuk patëm mundësi ta kalonim këtë moment të mrekullueshëm me tifozët tanë dhe me të gjithë njerëzit të cilët kishin udhëtuar në Paris nga të gjitha vendet për të na parë, për të festuar me ne”.

“Dhjetë apo 15 minuta janë shumë pak, kalojnë shumë shpejt. Ishim të zhgënjyer. Shpresoj se do të kemi edhe një mundësi të festojmë me tifozët tanë dhe shpresoj se kjo gjë do të ndodhë pas një fitore të radhës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat