KF Rilindja organizon turne mbarëkombëtar në Prishtinë

Futboll

KF Rilindja organizon turne mbarëkombëtar në Prishtinë

Më: 7 shtator 2018 Në ora: 13:59
KF Rilindja organizon turne mbarëkombëtar në Prishtinë

Më 15 e 16 shtator do të zhvillohet në Prishtinë turneu mbarëkombëtar i futbollit për fëmijë, për moshat U11. Turneu organizohet nga Klubi i Futbollit Rilindja dhe ndërmarrja Vlera Sport. Tashmë është konfirmuar se janë 21 klube me 24 ekipe, të ndara në dy grupmosha, që me rreth 300 fëmijë do të garojnë për dy ditë në terrenin e stadiumit “Ibrahim Gashi” të KF Rilindja.

Është hera e parë që organizohet një turne i tillë mbarëkombëtar, ku klube shumë të njohura në nxjerrjen e talenteve të reja bëhen bashkë për të garuar e bashkëpunuar.

Por cilat janë arsyet që motivuan këtë organizim dhe cili është qëllimi i tij? Organizatorët e turneut, KF Rilindja dhe Vlera Sport, kanë zhvilluar turne lokalë gjatë këtij viti, dhe mbresat e entuziazmi i fëmijëve, prindërve por edhe klubeve ishte i jashtëzakonshëm; duke qenë edhe shtysa kryesore për këtë organizim. 

Z. Faton Paçarada, Drejtor Ekzekutiv i Vlera Sport, thotë se Kosova është burim i çmuar i talenteve të futbollit dhe se ky aktivitet ka për qëllim të nxisë interesimin e klubeve dhe shoqërisë për më shumë angazhim të fëmijëve në sport. “Është e qartë se Kosova ka potencial serioz të jetë shumë konkurruese, në rajon dhe më gjerë, në ndërtimin e futbollistëve që do t’i bëjnë klubet kosovare të suksesshme në të ardhmen. Por që kjo të arrihet nevojitet përqendrim dhe bashkëpunim më i madh të energjive financiare, organizative dhe profesionale nga të gjitha palët e interesit, dhe ky aktivitet shpresojmë t’i shërbejë këtij qëllimi”, tha z. Paçarada. Ai deklaroi se Vlera Sport nuk do të kursehet në mbështetjen e këtij turneu, duke ofruar shpërblime të rëndësishme dhe dinjitoze për fituesit.

Ndërsa z. Fehmi Fejza, Drejtor Sportiv i KF Rilindja, që është edhe nikoqire e turneut, vlerëson se ky aktivitet është shumë i mirëseardhur për klubin dhe fëmijët, duke i vendosur ekipet në gara të nivelit më të lartë dhe ballafaqimit. “Klubi jonë synon krijimin e gjeneratave të reja të gatshme të përballen me nivele dhe intensitet të lartë të garës, duke qenë të bindur se ky është çelësi për ndërtimin e një skuadre të fortë e konkurruese”, tha z. Fejza. Ai shtoi se: “Vitet e fundit KF Rilindja i ka përqendruar energjitë në rritjen e numrit të fëmijëve që regjistrohen në klub, me çka është rritur edhe numri i talenteve që po identifikohen. Por së bashku me to duhet ngritur edhe niveli garues, i cili arrihet duke qenë pjesë e turneve vendor e ndërkombëtar, që Rilindja këtë vit suksesshëm po e arrin.”

Organizatorët janë të bindur se ky turne do të ketë efekte të shumta pozitive në shumë plane: në identifikimin e talenteve, në rritjen e bashkëpunimit mbarëkombëtar, por edhe në aftësinë e përgjithshme psikofizike të fëmijëve për të përballuar garat në të ardhmen. Gjithsesi synimet janë që turnetë e tillë të bëhen tradicionalë, për të promovuar futbollin te fëmijët dhe për të zhvilluar futbollin në një stad më të lartë.

Image

Kush do të marrë pjesë?
Serioziteti  dhe rëndësia e këtij turneu mund të vlerësohet me pjesëmarrjen e ekipeve më të rëndësishme të moshave të reja në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni.

Kështu nga Kosova do të marrin pjesë 14 klube të dëshmuara në nxjerrjen e talenteve: KF Rilindja, FC Prishtina, KF Llapi, SHF Kurda, KF 2 Korriku, KF Kosova, KF Llapi, QS Prishtina, SC Sharri, SHF Urbano, KF Fushë Kosova, SHF Top Football, New Stars Soccer School dhe Elite Football Academy.

Ndërsa nga Shqipëria do të jenë katër klube të njohura dhe me traditë: FK Partizani, KS Ali Demi, FC Pepa dhe KF Valbona. Nga Maqedonia do të jenë dy klube shumë të rëndësishme: KF Shkëndija dhe FC Shkupi, ndërsa nga Presheva do të jetë LFC Lugina.

Kush do ta mbështes turneun?
Turneu organizohet nën patronazhin e Vlera Sport  por do të mbështetët edhe nga: Mermergranit Kosova, Shoqata e Referëve të Prishtinës, Agribau, bizhuteria Anea, Te Bashkimi, libraria Vlora, libraria Infinit, Buki Design, studio Lumi, Xheti Shped dhe Hira; ndërsa në ditët në vijim pritet të ketë edhe donatorë e mbështetës të tjerë. Përveç tyre, prindërit e KF Rilindja po e ndihmojnë vullnetarisht këtë turne, si në organizim ashtu edhe me mbështetje financiare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat