Shaqiri: Nuk kemi përkrahje as nga bizneset as nga komuna e Ferizajt

Futboll

Shaqiri: Nuk kemi përkrahje as nga bizneset as nga komuna e Ferizajt

Nga: Kemajl Goca Më: 7 shtator 2018 Në ora: 18:53
Qerim Shaqiri

Në krizë të thellë është ekipi i futbollit Vizioni nga Ferizaj, që garon në Superligën e Kosovës (femrat). Herë me drekë e herë pa drekë shkojnë në ndeshjet e futbollit, ndërsa shpenzimet e transportit i heq trajneri Qerim Shaqiri, pa u ndihmuar as nga bizneset dhe as nga Komuna e Ferizajt. Vizioni për shkak të gjendjes së vështirë përgatitjet nuk ka mundur t’i zhvillojë në ndonjë vend të rajonit, por kryesisht në Ferizaj, por edhe aty kishte telashe të mëdha shkaku i termineve!

“Realisht jemi të përgatitur jo ashtu si e kërkon nevoja sepse çdo vit ishim në përgatitjet qoftë në Durrës qoftë në Shkodër dhe gjetiu, këtë vit nuk kam mundur të shkojmë shkaku i anës financiare. Përkrahje nuk kemi nga asnjë biznes e as nga komuna. KFF Vizioni është klub i qytetit veç nuk e ka emrin Ferizaj. Ne nuk kemi pikur as nga qielli as nga jupiteri, por jemi këtu me statusin e njëjtë si të KF Ferizajt (meshkujt). Vetëm është e ndërruar, në vend të KF Ferizaj shkruan KFF Vizioni.

Nuk kemi termine të mjaftueshme sa i përket stërvitjeve dhe është shumë vështirë kjo për ne sepse jemi në dy fronte: me ekipin seniore dhe U-16”, thotë për gazetën kombëtare “Bota sot”, Shaqiri.  Shpenzimet janë të mëdha dhe mezi ia dalin si ekip. “Vajzat janë kryesisht nga rrethi i Ferizajt dhe nuk mund t’i mbulojmë gjithë ato shpenzime. I falënderoj të gjithë ata njerëz, më shumë nga diaspora që na kanë ndihmuar me aq sa kanë pasur mundësi si me fanella dhe çështje tjera teknike për klubin.

Nuk duhet me harruar sivjet as ‘Givova’ që na ndihmoi me një komplet fanellash dhe tuta sportive. Këtë periudhë kohore na ka ndihmuar edhe FFK me veshje sportive për te dy kategoritë, pra që dy vjet na ka stimuluar me aq mundësi që ka pasur dhe iu mirënjohës e falënderues. Çuditem pse nuk gjejnë mjete për ne, ndërsa komuna gjen donatorë për meshkuj dhe i kushtëzon mi ndihmuar futbollit mashkullor. Mos harroni, se u pa edhe xhudistja Majlinda Kelmendi, sportistja më e  mirë në botë,  që po shënon suksese pas suksesit, që krenohet gjithë kombi me të, kjo dëshmon se çka mundet me bë gjinia femërore. Me një përkrahje shumë të vogël ja kisha kthyer namin qytetit me këto vasha sepse siç dihet të tjerët kanë bërë përforcime dhe mezi janë shpallur kampione të Kosovës”, theksoi Shaqiri.

Trajneri i Vizionit thotë se primare është me pasur prodhim vendorë: “Është primare me pasur prodhime vendore (e kam fjalën nga qyteti ku vepron). Klubi i Vizionit i ka lojtaret krejt nga rrethi i Ferizajt. Ky klub i femrave me një investim shumë të vogël mundet me prurë titullin e Kosovës në Ferizaj.  Hajvalia është shkri në Feronikel. Feronikeli edhe në frontin e femrave edhe të meshkujve do ta ndjekë titullin. Të gjitha vajzat e Hajvalisë kanë kaluar në Feronikel, sadopak i kanë të rregulluar pagesat fillestare, kurse Ferizaj me 120 mijë banorë nuk është gjendje me mbajt një klub të meshkujve si duhet dhe stabil e lere të femrat. Sa i përket Mitrovicës besoj se edhe këtë vit do të jetë kandidat potencial për titull.

Ndërkaq, ne në bazë të analizave dhe punës që kemi bërë brenda qytetit, besoj se do të jemi në 3-4 vendet e para.  Vitin e ardhshëm FFK e ka një planprogram të ri, të formohet edhe liga e dytë apo si të themi Liga e parë, pra katër ekipet të Superligës bien në Ligën e Parë. Konkurrenca është shumë e madhe dhe secila lufton me u ngritë sa më lartë në renditje. Mendoj se e vetmja mundësi e ngritjes së ligës së femrave është formimi i Ligës së Parë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat