Si ju duket Kosova Armando Dukës?

Futboll

Si ju duket Kosova Armando Dukës?

Më: 17 shtator 2018 Në ora: 11:36
Si ju duket Kosova Armando Dukës?

Armand Duka, presidenti i FSHF-së, ka folur sërish për trajnerin e kombëtares, Christian Panucci, i kryqëzuar nga opinioni sportiv i këtushëm për humbjen me Skocinë dhe mungesën e stabilitetit në formacion. Po ashtu, Duka ka dhënë mendimin e tij edhe mbi garën kombëtare të futbollit dhe aspekte që lidhen me të. Për “Zona Gol” në “Supersport”, ai iu dha këto përgjigje pyetjeve të panelistëve:

Ragimi juaj u duk sikur donit të zbusnit humbjen me Skocinë…
Nuk kam bërë reagim, por kam dhënë një opinion. Nuk ka ndonjë rast që Panucci të mos u jetë përgjigjur ftesave të gazetarëve. Jeni munduar të mblidhni sa më shumë fakte për ta kryqëzuar trajnerin. Kemi humbur një ndeshje dhe nuk mund ta konsiderojmë tragjedi. Duhet të analizojmë dhe të nxjerrim problemet. Ne fituam me Izraelin, s’do të thotë që s’kishte probleme. Nuk duhet dramatizuar. Kjo është një lojë kolektive. Nuk jam i kënaqur që humbëm në Skoci, por nuk mund ta dramatizoj. Ndoshta presioni dhe kërkesat janë shumë të mëdha.

Sa ju kënaqin shifrat e Panuccit?
Nuk është kombëtarja e Panuccit, është e Shqipërisë. Të gjithë bashkë punojmë dhe marrim faturën e suksesit dhe mossuksesit. Kur shoh që kemi humbur me Italinë dhe Spanjën, apo në një miqësore me Norvegjinë, ngushëllohem pak. Kemi humbur ndaj Skocisë, që ka lojtarë që luajnë në Premier League. Ajo ka qenë pjesëmarrëse në eventet e mëdha. Nuk mund të bëjmë paralelizëm mes Venturës me Italinë dhe Panuccit me Shqipërinë. Sulmet më duken të orkestruara.

Çfarë duket e orkestruar?
Sulmi ndaj Panuccit.

Ajo që mungon është atmosfera…
Duhet të ndryshojë atmosfera, këtë po tentoj edhe unë, sepse është një faktor shumë i rëndësishëm. Duhet t’i shohim gjërat me objektivitet. Ia kam bërë kritikë edhe Panuccit, edhe zyrës së shtypit. Është krijuar ideja se Panucci bëri eksperimente në grumbullimin në Zvicër, por nuk është e vërtetë. Vetëm Ansi Agolli u la. Ishin data që nuk ishin përcaktuar nga FIFA. Klubet nuk lejonin lojtarët. Ishte i detyruar të bënte ndryshime, sepse s’kishte lojtarë. Ajetin e aktivizoi në mesfushë. Vetë trajneri ka folur me Agollin dhe i ka thënë që unë e di kush je ti, por do të provoj që të gjej dikë për të të zëvendësuar. Besoj se në Elbasan opinioni e konsideroi të drejtë zgjidhjen e Binakut. Nuk është e vërtetë që nuk ka klimë në skuadër, nuk kam dëgjuar të ketë klimë jopozitive. Ndoshta duhet të njoftojë më mirë publikun nëpërmjet zyrës së shtypit për vendimet që merr. Nuk di të ketë probleme me mediat.

A jeni penduar që keni zgjedhur Panuccin?
Kohën për Panuccin jua kërkova juve dhe publikut, për ta lënë më të qetë që të arrijë rezultatet e duhura në dy ndeshjet e mbetura të “Nations League”. Sigurisht që federata vendos për trajnerët. Të gjithë trajnerët që kemi patur, kishin një mijë të mira dhe një mijë të këqija. Çdo trajner, që zgjedh mënyrën e lojën, në fund mendon se mund të kishte bërë më mirë, kjo është loja.

A jeni i shqetësuar për faktin që kombëtarja nuk ka stabilitet taktik, ka përdorur 9 skema të ndryshme?
Të flasim për skemat, kam frikë se gaboj, Për kaq sa kam njohuri për futbolli, për asnjë ekip nuk thuhet se luan me të njëjtën skemë, luhet në bazë të kundërshtarit që ke përballë. Ndryshe nuk funksionon skema. Dy trajnerët kroatë që kemi patur, Kuzhe dhe Baric, ndryshonin skemat gjatë lojës, i përshtateshin kundërshtarit, realitetit. Nëse skemat që ai përdor, janë ose jo të suksesshme, është tjetër diskutim.

Si u ndjeve që Agolli doli në konferencë për shtyp dhe nuk luajti?
Do të doja që të ishte edhe një herë 25 vjeç. Meqë Ansi ishte dhe është gjithmonë i gatshëm, trajneri duhet të marrë një vendim teknik apo taktik. Sigurisht që unë do të doja që Ansi të luante gjithmonë.

Si mund ta rikthejë atmosferën Panucci?
Nuk besoj se janë të vërteta ato që thua ti. Nëse një futbollist thotë diçka për mediat, atëherë ju duhet t’i thoni se duhet t’i zgjidhni brenda skuadrës problemet. Unë nuk besoj se ka lojtarë që janë të pakënaqur. Futbollistët mund të debatojnë pas një humbjeje, por kjo s’do të thotë se është një situatë antagoniste. Panucci duhet ta motivojë skuadrën ashtu siç bëri me Izraelin.

Nëse nuk kthehen rezultatet, pra nëse humbasim, çfarë do të ndodhë? A do të shihni dhe çmimet e biletave?
Trajnerët i mbështes maksimalisht për të arritur rezultatet. Kështu kam vepruar me të gjithë trajnerët, jo vetëm me Bushin dhe Bogdanin. Me vetëm tri ndeshje zyrtare në rastin e Bogdanit, nuk mund të thuash se duhet ta zëvendësojmë. Duhet të bëjë të pakën edhe një kompeticion. Nuk ka patur performanca të këqija. Duhet të presim ndeshjet zyrtare dhe pastaj të themi nëse duhet ndryshuar. Për çmimet e biletave nuk besoj se ka faj Panucci. Do të doja që publiku të hynte falas në stadium, por unë nuk mund ta bëj këtë, sepse të vetmet të ardhura që kemi si FSHF janë biletat dhe të drejtat televizive. Nuk kemi konsideruar që, kur kombëtarja është mirë, të rritim çmimin e biletave dhe, kur është keq, t’i ulim.

Çfarë ndodh me Panuccin nëse u humbet dy ndeshjet e radhës?
Duhet të mendoj pozitivisht, që do t’i fitojmë dy ndeshjet e radhës. Ne pretendojmë të dalim të parët në grup.

Pse vendosët të merrnit Panuccin, pa eksperiencë?
Sepse ne erdhëm pas një suksesi të madh dhe mendohet që pas suksesit ka eufori. Skuadra ka nevojë për një lloj autoriteti për ta manaxhuar. Meqë ishte një emër i madh i futbollit, një autoritet, mendova se do ta manaxhonte ekipin pas këtij suksesi. Po të kisha mundësi, do të merrja një emër të madh, edhe me 20 vite eksperiencë.

Ju shqetëson mungesa e një lideri, nuk ka një kapiten kombëtarja?
Mund të jetë një fazë kalimtare. E ka vendosur trajneri me vetë futbollistët për ta mbajtur shiritin ai me më shumë ndeshje. Është e drejtë ekskluzive e trajnerit, është në kontratë. Lider je, ose nuk je, nuk të bën shiriti.

Shqipëria nuk po shfaqet ajo skuadra që bën ndeshje të mëdha me ekipe të mëdha. Kur nuk ia dalim me Izraelin…
Edicioni nuk i ngjason edicionit. Kemi zhvilluar ndeshje të mëdha edhe me Gjermaninë, edhe në vitet ’60. Nuk jam i bindur që ne jemi në momentin më të mirë të mundshëm të viteve të fundit. Shtatori kaloi, futbollistët janë stabilizuar, diçka ka ndryshuar. Uroj që të jemi më mirë.

Sa e ka dobësuar Shqipërinë fakti që kemi edhe Kosovën, pra dy kombëtare?
Do të kishim më shumë alternative, normal që kjo ka ndikuar.

Si ju duket Kosova?
Shumë mirë. Nuk i kam ndjekur ndeshjet, por ka marrë një fitore dhe një barazim në transfertë. Kur të kem mundësi do të shkoj në stadium, është pretendente kryesore në grupin e saj.

Komenti juaj për kampionatin shqiptar…
Më duket mjaft konkurrues, vetë koha sjell zhvillim. Skuadrat kanë përbërje të mirë, ndeshjet e para kanë qenë të kënaqshme. Kampionati me 10 skuadra është shumë i fortë.

Mungesa e policisë ka sjellë shumë pështjellim. Ka patur incidente në Korçë, si do të zgjidhet kjo problematikë?
Ishte një vendim i nxituar për të larguar policinë nga shkallët e stadiumit. E mendoj të pamundur manaxhimin e ndeshjeve vetëm me stjuartë, edhe në anën financiare. Kemi mbi 400 ndeshje në javë, duke patur parasysh edhe moshat. Ky është realiteti ynë, nuk mund të fshihem pas gishtit. Luajmë në fushat sportive, jo në stadiume. E kam kundërshtuar ligjin që në ditën e parë, edhe në grup parlamentar kam diskutuar. Kemi bërë takime me policinë që të ndryshojë kjo qasje, nuk e kemi menduar që të ndërpresim kampionatin. Duhet të gjejmë një mënyrë për të gjetur zgjidhje. Mund të ndodhë që në inferiore apo te fëmijët të hyjë një prind e të godasë arbitrin, a ka ligj që do ta dënonte. Kemi patur edhe vërejtje të tjera për ligjin. Më duket më shumë një vendim i nxituar sesa i orkestruar për të dëmtuar futbollin shqiptar. Nuk jemi Anglia, nuk jemi gati për të mos patur policë në stadium.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat