Gjeraj: Të jemi më të përgjegjshëm

Futboll

Gjeraj: Të jemi më të përgjegjshëm

Nga: Kemajl Goca Më: 17 shtator 2018 Në ora: 18:51
Robert Gjeraj

Liria nga Prizreni arkëtoi tri pikë domethënëse dhe i japin motiv shtesë për javët e ardhshme. Prizrenasit si vendas shënuan fitore të thellë me rezultat 6:2 kundër KEK-ut nga Kastrioti, në ndeshjen e javës së pestë të IPKO Superligës së Kosovës në futboll. Kapiteni i Lirisë, Robert Gjeraj, tha se gradualisht do të jenë në vendin ku e meriton skuadra me renome. Gjeraj ka qenë i pagabueshëm nga penalltia, duke e ndihmuar skuadrën në fitoren e thellë ndaj ‘elektricistëve”.

“Bota sot”: Liria shënoi fitore bindëse, a është një sinjal se po stabilizohet ekipi?

Robert Gjeraj: Mendoj që është një sinjal i mirë për stabilizim, mirëpo na duhet ende punë që të arrijmë në nivelin ku e meriton Liria.

“Bota sot”: Çfarë i duhet më shumë Lirisë në javët e ardhshme?

Robert Gjeraj: Mendoj se Lirisë i duhet që të jemi më të përgjegjshëm në situata të caktuara dhe të kemi vazhdimësi sepse na mungon pak vazhdimësia, megjithatë mendoj që ngadalë po vijmë deri tek kjo, mirëpo me punë dhe angazhim do t’i përmirësojmë të gjitha.

“Bota sot”: A jeni në formën më të mirë?

Robert Gjeraj: Për momentin jam shumë në gjendje të mirë fizike, jam përgatitur shumë mirë. Goli nuk është diçka që me bind për përformancën time por unë i besoj punës time dhe vlerësimin e publikut, që në çdo moment me vlerësojnë dhe me japin besim që jam në formë të mirë, kështu do të vazhdoj.

“Bota sot”: Në fundjavë kundër Llapit, njëra nga sfidat më të vështira, në rast të fitores, do të futet Liria në garë për kreun e tabelë?

Robert Gjeraj: Mendoj që me ekipe të forta po tregojmë lojëra të mira. Llapi ka një super ekip dhe një super trajner, mirëpo ne jemi ekip që mund ta fitojmë çdo ekip që vjen në Prizren dhe me fitore mbesim në luftë për pjesën e epërme ku edhe e kemi synimin që të jemi aty.

“Bota sot: Cilat skuadra i sheh për titull?

Robert Gjeraj: Për titull i shoh Feronikelin, Prishtinën dhe Llapin, këto tri skuadra deri tash kanë treguar seriozitet, mirëpo nuk përjashtohet edhe Drita edhe Trepça ‘89 sepse është vetëm fillimi dhe kanë kohë për përmirësime.

“Bota sot”: Në pesë javët e para, kush befasoi për të mirë, e kush dëshpëroi?

Robert Gjeraj: Për të mirë befasoi Flamurtari sepse tregoi lojëra të mira, kurse për të keq Drita, e cila nuk është e kuptueshme, që një kampion të ketë rënie drastike. Mirëpo, ata janë ekip cilësore dhe besoj që do të ngritën.

“Bota sot”: Sa ka mundur të komponohet Liria dhe a është edhe kjo njëra nga shkaqet që ka lënë pikë në javët e kaluara?

Robert Gjeraj: Mendoj që problemi kryesor tek ne është komponimi sepse vetëm dy lojtarë janë prej sezonit të kaluar dhe kjo na ka paraqitur shumë vështirësi. Kjo është një ndër arsyet pse nuk kemi pikë më shumë, mirëpo në vazhdim do të punojmë që sa më shpejt të arrijmë, aty ku duhet të jemi sepse dihet që Liria është ekip me renome. Këtë do ta dëshmojmë në vazhdim sepse kemi lojtarë, individ shumë të mirë në ekip, vetëm na duhet edhe pak kohë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat