Nga sezoni i shkuar te ky aktuali, për Etrit Berishën është përmbysur çdo gjë. Ishte titullar i padiskutuar sezonin e shkuar dhe kishte gjetur oazin e tij në Bergamo, ndërsa tashmë është kthyer në një lojtar stoli.
Gjatë ditëve të fundit të merkatos së verës, për gardianin e Shqipërisë është paraqitur e njëjta situatë si te Lazio dy vite më parë. Ndryshe nga ai moment, kur Atalanta i hapi dyert, tashmë janë bluzinjtë ato që ia mbyllin.
Ekipi francez i Lille bëri të pamundurën për të siguruar shërbimet e tij, por vlera e lartë e kartonit ishte pengesa që bllokoi këtë transferim.
Kështu, prishtinasi u detyrua që të qëndronte në Bergamo, duke ditur se tashmë klubi kishte vendosur për portierin italian Gollini si titullar.
Edhe në humbjen e ditës së hënë, ndaj SPAL-it, “Titi” ndoqi gjithçka nga stoli, ndërsa kolegu i tij në fushë u vlerësua me notë të mirë, pasi kreu disa pritje të rëndësishme dhe nuk kishte faj te golat.
Duke parë konkurrencën dhe zgjedhjen e klubit, për shqiptarin mbetet vetëm Europa League si shansi për të treguar vlerat sërish dhe për të kthyer mendjen e klubit.
Në mos, ky do të jetë një vit mes izolimit në stol dhe padurimit për të ardhur janari, ku ndoshta ai mund të ndërmarrë një tjetër aventurë, për të gjetur hapësira.